Politike

Mandati i Olta Xhaçkës në rënie të lirë?!

Nga Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama e ‘lëshoi’ Olta Xhaçkën nga përfshirja në organet drejtuese të partisë, duke nisur që nga heqja e emrit të saj nga kryesia por ende jo nga angazhimi i saj parlamentar. Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Niko Peleshi, dha një përgjigje dredharake (me dy kuptime) kur u pyet qartësisht se cili do të jetë qëndrimi i PS-së të enjten për vendimin e gjykatës Kushtetuese lidhur me dërgimin për shqyrtim pranë saj të mandatit të Olta Xhaçkës

Peleshi, si rrallë herë, është shprehur se nuk ka vendim politik për Xhaçkën porse secili deputet do ta shqyrtoje sipas interpretimit të vet. Një logjike politike që kishte mbështetur më parë edhe ish-kreu i grupit Bledi Çuçi kur u pyet se asnjë gjykate qoftë edhe ajo Kushtetuese nuk mund të imponoje vendimin e një deputeti një e drejtë që sipas tij ia jep Kushtetuta. Por me një ndryshim kësaj here.

“Ne nuk i diskutojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese në grupin parlamentar. Kjo çështje nuk është diskutuar në rendin e ditës se ne nuk e trajtojmë këtë si vendim politik. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është bërë i njohur për të gjithë deputetët. Nuk jam për të folur për vendimmarrje personale, por në emër të grupit të PS, i cili nuk ka vendim politik”. Sipas tij, vendimet e Kushtetueses nuk mund të shoqërohen me komente politike, duke sqaruar se është detyrim zbatimi i saj

“Të dy raportet e vendimet nuk kanë diferenca thelbësore me njëri-tjetrin. Ne jemi përqendruar te detyrimi që themi për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese pa komente politike. Këshilli i Legjislacionit me miratimin e të gjithë anëtarëve ka kaluar në seancë për votim mocioni. Të dy opinionet aty janë. Është thjesht gjuha e artikulimit. Ne nuk futemi në rekomandime, sugjerime e interpretime të mocionit. themi që thjesht duhet zbatuar duke kaluar në seancë për votim”.

Peleshi ka mbrojtur edhe variantin e dyte të rrëzuar më herët po nga gjykata për ta çuar çështjen për interpretim në Venecia.

Por Peleshi nuk iu referua më rastit në fjalë (siç kërkoi më herët paraardhësi i tij Çuçi)  

“Do i drejtohemi Venecias, por jo për këtë çështje. Kjo çështje është në rrugën e vet. Ne do i kërkojmë mendim Komisionit të Venecias, duke u nisur nga kjo çështje në parim, për çdo situatë tjetër të mundshme në të ardhmen se ku fillon e mbaron diskrecioni i lirë i një deputeti dhe detyrimi e zbatueshmëria e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”.

Seanca e së enjtes pritet të prodhojë debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, jo vetëm për mandatin e Xhaçkës, por edhe skandalin me mbetjet toksike. Për këtë çështje, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar një interpelancë me kreun e qeverisë Edi Rama. Ky i fundit nuk ka vendosur ende nëse do të jetë vetë apo do t’ia delegoje debatin zv.kryeministres ose ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla. 

“Rendi i ditës fillon me dy interpelanca, një interpelancë e Ramës me Bardhin për mbetjet e rrezikshme, një tjetër me zv.kryeministren. Pastaj është axhenda normale. Do jetë një interpelancë në zbatim të rregullores, me shumë gjasë në përputhje me axhendën e vet Rama do jetë në seancë”, tha Peleshi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë