Ekonomi

Inflacioni në Shqipëri në nivelin më të ulët që prej luftës në Ukrainë, por rritja e çmimeve mbetet e fortë

Nga Gazeta ‘SI’- Gjatë muajit gusht, inflacionit në vend ra në 2% nga 2.1% që ishte në korrik duke prekur kështu normën më të ulët në 2 vite.

Edhe pse niveli i Indeksit është në rënie, çmimet e shportës vazhdojnë të shtrenjtohen me ritme të qëndrueshme. Sipas INSTAT, një vit më parë inflacioni raportohej 4%.

Nga një vit më parë, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin e argëtimit dhe kulturës, 4%, ndjekur nga veshje dhe këpucë me 3.9%, pije alkoolike dhe duhan me 3.6% etj. Ushqimet dhe pijet joalkoolike, nga një vit më parë janë shtrenjtuar me 2.4%. Nga ky grup zarzavatet dhe patatet janë rritur me 5.5%, vezët dhe bulmeti me 4.4%.

Në raport mujor, rritja më e madhe e çmimeve ka ndodhur po ashtu tek grupi i argëtimit dhe kulturës me 1.8%, ndjekur nga ushqimet dhe pijet joalkoolike me 1%.

Ndonëse çmimet mbeten të qëndrueshme, treguesi i inflacionit po bie shpejt duke qëndruar shumë poshtë objektivit 3% të Bankës së Shqipërisë.

BSH thotë se inflacioni është zbutur ndjeshëm për shkak të kursit të këmbimit dhe rënies së stimujve të jashtëm, por thekson se rritja e pagave në nivel kombëtar është presion i shtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë