Ngjarje

Studentët refuzojnë. Ramën as në televizor s’duan ta shohin

Sabina Veizaj –Universiteti i Arteve udhëhoqi ditën e gjashtë të protestave të studentëve. Shumë më të shumtë në numër se dje, ata përshkuan rrugën nga Sheshi “Nënë Tereza” drejt zonës së ish-Bllokut për tek Ministria e Arsimit. Ajo që të binte në sy ishte mbajtja në dorë e librave që kanë të bëjnë me pushtetin dhe politikën e pankarta si “Artistët e mirë nuk bëhen kryeministra”.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2520990954582868/?epa=SEARCH_BOX

Përgjatë rrugës ndanw Katedrales, deri tek fillimi i Rrugës së Durrësit, trafiku ndaloi në solidaritet të studentëve. Drejtuesit e automjeteve i binin në mënyrë të vazhdueshme borive dhe duartrokisnin studentët.
Të rinjtë e Universitetit të Arteve qëndruan përballë monumentit të Skënderbeut dhe kënduan Himnin e Flamurit.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/509329202922449/?epa=SEARCH_BOX

Duke këmbëngulur në thirrjet e tyre për arsim publik falas, heqjen e tarifave dhe arsim cilësor, ata iu bashkuan studentëve të fakulteteve të tjera përpara godinës së Ministrisë së Arsimit. Studentëve të Universiteteve Publike, në ditën e gjashtë të protestave iu bashkuan edhe studentë të Universiteteve Private si Universiteti Europian i Tiranës.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/555684074843997/?epa=SEARCH_BOX

Protestës së të hënës iu bashkuan edhe mësues e pedagogë, prindër, gjyshër dhe emigrantë.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/509845662833862/?epa=SEARCH_BOX

Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, Kryeministri Rama doli drejtpërdrejt në komunikim në Facebook duke ftuar studentët të komunikonin me të për t’iu përmbushur kërkesat e tyre.
Televizionet shqiptare, prezent për të pasqyruar protestën, kishin sjellë televizorë me qëllim, sipas studentëve që të ishin në komunikim me kryeministrin.

Të gjithë studentët kundërshtuan me forcë çeljen e televizorëve duke refuzuar çdo komunikim me kreun e qeverisë.

“Dje na hoqët energjinë elektrike, sot na sillni televizorë. Nuk duam komunikim me kryeministrin. Duam plotësim të kërkesave tona”, u shprehën studentët.
Në thirrjen e tyre ata vazhduan të kërkonin vetting për pedagogët e korruptuar që kërkojnë ryshfete monetare dhe afera seksuale.

Pas daljes së kryeministrit, Lëvizja për Universitetin publikoi në Facebook edhe një herë kërkesat si përgjigje ndaj kreut të Qeverisë, duke i cilësuar këto kërkesa si të panegociueshme duke theksuar se nuk ka negociata pasi studentët ndodhen në shesh.

  1. Shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë, si pikënisjen nga ku do mund të rinisë reformimi i vërtetë i jetës universitare, bazuar në lumin e kërkesave të artikuluara nga masa studentore.
  2. Dyfishimin e buxhetit të shtetit për arsimin e lartë. Nëpërmjet tij do të siguroheshin: përmirësimi i kushteve të jetesës në konvikte, pasurimi i bibliotekave, zhvillimi i kërkimit shkencor, zgjerimi i mjediseve universitare dhe i stafit akademik etj. etj… lista është e gjatë.
  3. Arsim publik falas në të gjitha nivelet si themel i studimit sipas meritës.
  4. Reformimin e vërtetë të jetës universitare mbi bazën e parimeve të demokracisë brenda universitare: krijim i një asambleje universitarësh, të zgjedhur me votë të barabartë studentësh dhe pedagogësh në çdo fakultet universitetesh publike.

“Kërkesat e artikuluara nga masa e studentëve nuk duhet të bëhen në asnjë mënyrë objekt negociatash, pikë pas pike. Së pari sepse pikat janë të pafundme. Së dyti sepse kërkesat duhet të pranohen në bllok nga qeveria! Që të arrihet kjo, NUK KA NEGOCIATA pa anulimin e ligjit të arsimit të lartë dhe rifillimin e një fushate nga universitarët – studentë dhe pedagogë – për hartimin e reformës në arsim. Lista e kërkesave nuk mund të implementohet pa TË PAKTËN dyfishimin e buxhetit të shtetit për arsimin. Ky dyfishim është i nevojshëm edhe për kërkesën kryesore të artikuluar nga studentët në këto ditë protestash: ARSIM PUBLIK FALAS!”- citohet në deklaratën e Lëvizjes për Universitetin.

Për Lëvizjen, reforma e re në arsim do të rinisë nga vatra e dijes dhe e rezistencës, nga ata që u injoruan tërësisht nga reforma e mëparshme në arsim, nga ata zëri i të cilëve kumboi fuqishëm gjatë ditëve të protestës: STUDENTËT. “Në procesin e reformimit të arsimit do duhet të marrin pjesë edhe pedagogët, fakultet pas fakulteti, nëpër asambletë universitare që do krijohen në universitetet publike.”- kërkojnë përfaqësuesit e Lëvizjes.

Mahmut Çera është një burrë 75-vjeçar, i cili nuk ka asnjë fëmijë apo nipër e mbesa në Universitet.

Mahmut Çera

Ai thotë se ka ardhur të mbështesë të rinjtë për të drejtat e tyre. “Unë i kam quajtur fidanishte. Kam ardhur për kombin shqiptar. Këta janë fidanët që nesër do të ndërtojnë Shqipërinë cep më cep. E kam bërë unë këtë ndërtesë që rri Nikolla sot, edhe atë të Salës, Ramës, Ilir Metës. Kam qenë punëtor, kam ndërtuar hekurudha. Kam punuar në minierë, në bujqësi, gjithandej kam punuar,” thotë për Gazetën “Si” Mahmut Çera.

Qetësor Braho vjen nga Skrapari për të dalë në krahë të vajzave të tij studente. Qetësori ka dy vjaza në Universitet, njërën për Gjuhë Letërsi dhe tjetrën për Fizikë. “Jam në përkrahje të studentëve. Mezi paguajmë tarifat dhe jetesën e tyre në Tiranë. Me gjak e paguajmë.”- thotë Qetësori për Gazetën “Si”.

Qetësor Braho

Studentët në thirrjet e tyre evidentuan herë pas here kërcënimet që u janë bërë sipas tyre nga përfaqësues të forumeve të ndryshme rinore partiake dhe vetë partive kryesore në vend. Por “ne nuk kemi frikë, ne nuk na tremb asgjë në rrugën për të fituar kërkesat tona. Studentët e bashkuar kanë për të fituar” – artikuluan studentët në thirrjet e tyre.
Ashtu si edhe në ditët e para, studentëve të Tiranës iu bashkuan edhe në ditën e gjashtë të protestës studentët e Universitetit të Durrësit. Njëri prej studentëve në një moment rrëmbeu altoparlantin dhe tha se “Nuk ka vetëm në Paris jelekë të verdhë, edhe këtu ka jelekë të verdhë”
Studentët që morën njëri pas tjetrit mikrofonët, deklaruan se studentët e Universitetit të Gjirokastrës janë shoqëruar të dielën në rajonin e policisë sepse kanë protestuar në mbështetje të studentëve të Tiranës.
Studentët kanë paralajmëruar sërish se të martën protesta do të kulmojë dhe me studentët do të bashkohen shumë më shumë njerëz në përkrahje të tyre. Pavarësisht kësaj, vazhdon të vihet re mungesa e organizmit dhe mungesa e liderëve në protestë. Shumë megafonë, disa grumbullime për të folur dhe thirrje “jemi të gjithë sëbashku për armikun tonë të përbashkët “tarifat”!.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë