Interviste

Volker: Perëndimi forcon Vuçiçin, teksa minon të tjerët në Ballkan

“Ne, vazhdimisht, themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. [Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiç pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët”, thotë Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

“Kjo është ajo që SHBA-ja dhe Franca thonë se është politikë e tyre – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim. Nën Vuçiçin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur [presidentin e Republikës Sërpska] Millorad Dodik dhe për të minuar Bosnje e Hercegovinën…”, thotë Volker.

Sipas tij, Perëndimi është duke u angazhuar më shumë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, teksa ngadalë është duke humbur Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

“Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Vuçiç nuk është armik, por ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të, sesa duke promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor”, thotë Volker.

A është marrëveshja e Serbisë me Francën për blerjen e avionëve luftarakë francezë “Rafale” një kthesë strategjike e Beogradit, apo një marrëveshje e zakonshme tregtare?

“Le të fillojmë nga ana franceze. Nëse Franca mund të shesë aeroplanë, ajo do ta bëjë këtë. Prandaj, nuk është politikisht e rëndësishme për Francën. Ajo e sheh nga pikëpamja e biznesit. Asaj i pëlqen ideja që njerëzit të blejnë avionë Rafale. Pra, është thjesht biznes.

Nga ana serbe, ka disa gjëra në lojë. Mendoj se Vuçiç, në thelb, po përpiqet ta shndërrojë Serbinë – le të themi – në një Rusi në Ballkan. Kështu, ta bëjë një komb dominues në mesin e të tjerëve në Ballkanin Perëndimor, që luan me kartën e minoritetit serb në vende të tjera, duke u mbështetur në masë të madhe te Rusia, burimet e saj energjetike, Kisha Ortodokse Ruse…

Megjithatë, ajo ende përpiqet të ruajë një farë lirie dhe pavarësie. Pra, disa kontrata dhe marrëdhënie me vende të tjera e ndihmojnë Vuçiçin në marrëdhëniet me Rusinë. Ato e ndihmojnë, gjithashtu, që ta portretizojë Serbinë si më të orientuar drejt reformave sesa është në të vërtetë”.

Ju thatë se për palën franceze është vetëm një marrëveshje biznesi. Por, është edhe interes strategjik i Francës që ta distancojë Serbinë nga Rusia përmes zgjerimit të BE-së…

“Kështu thonë të gjithë. Kjo është ajo që SHBA-ja thotë se është politikë e saj. Kjo është ajo që Franca thotë se është politikë e saj – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim.

Nën Vuçiçin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur Millorad Dodikun, për të minuar Bosnje e Hercegovinën dhe për të ndryshuar Qeverinë në Maqedoninë e Veriut, e cila është më pak proevropiane.

Të gjitha këto janë gjëra, në të cilat Vuçiç luan një rol të madh në prapaskenë, e të cilat shkojnë në favor të nacionalizmit serb. Edhe me Perëndimin luan duke thënë: mirë, e dini, unë duhet të bashkëpunoj me Rusinë, por premtoj se do të vendos sanksione ndaj Rusisë. Ai e luan këtë lojë”.

Vuçiç përdor ndikimin rus si atu në marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në

Por, ka shumë dëshmi se ndikimi i Rusisë në Serbi, në fakt, po zvogëlohet. Gjeografikisht, midis Rusisë dhe Serbisë ka shumë vende që janë anëtare të NATO-s. Kështu që tani është madje e pamundur që armët ruse të dorëzohen në Serbi. Së dyti, Serbia nuk është më e varur nga gazi rus, sepse nuk mund ta importojë atë nga Rusia, marrë parasysh situatën aktuale. Dhe, së treti, nëse i shikoni shifrat, shkëmbimi ekonomik midis Rusisë dhe Serbisë është vetëm disa për qind, ndërsa me BE-në është pothuajse 70 për qind. Kjo do të thotë se Serbia është ekonomikisht shumë e varur nga Bashkimi Evropian.

“Është e vërtetë se Serbia është e varur kryesisht nga BE-ja sa i përket ekonomisë. Por, ajo ka ende një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Rusinë sesa thatë ju. Merreni gazin rus, për shembull. Nuk ka dyshim se gazi rus arrin në Serbi”.

Një pjesë e gazit. Jo 100 për qind siç ka qenë më parë.

“Jo 100 për qind, por ende bëhet fjalë për sasi serioze. Unë supozoj se 60 deri në 70 për qind e gazit rus ende arrin në Serbi, që është domethënëse.

Ndikimi i Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse Serbe është tepër i fortë. Dhe, mënyra se si Rusia mund ta ndihmojë Serbinë për të luajtur rolin e një faktori përçarës në Ballkan, është me të vërtetë e çuditshme. Kështu që unë mendoj se Rusia ka ndikim të madh në Serbi dhe se Vuçiç po e përdor atë si atu në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara.

Dhe, siç e thashë, ne vazhdimisht themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Vuçiç pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët”.

Ju keni qenë edhe i dërguar i SHBA-së në Ukrainë. Keni thënë se Serbia i shet Ukrainës granata dhe municione të tjera – sipas disa vlerësimeve – me vlerë 800 milionë euro. Kjo është një e treta e sasisë totale të granatave që Evropa i dërgon Ukrainës. Si përshtatet e gjithë kjo në këtë peizazh?

“Mendoj se këtu bëhet fjalë më shumë për interesin e Vuçiçit. Ato janë granata të vjetra. Nuk janë prodhuar së voni dhe Serbia mund t’i shesë. Është pjesë e përpjekjeve për të luajtur nga të dyja anët, për të ruajtur rolin e Vuçiçit në Ballkan dhe të Serbisë si fuqi e madhe.

Le të jenë SHBA-ja dhe BE-ja të lumtura, por jo plotësisht të lumtura. Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie të veçanta me Rusinë, por nganjëherë devijon prej tyre.

Perëndimi merret më shumë me Vuçiçin sesa me promovimin e demokracisë në pjesën tjetër të Ballkanit”.

Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, në Serbi janë mbajtur së voni zgjedhjet. Për parregullsitë në to ka pasur shumë prova. BE-ja, fillimisht, ishte shumë kritike. Por, më vonë, për shkak të kësaj marrëveshjeje për avionët Rafale, dhe më herët për litiumin, kjo çështje duket se është futur nën tepih. Shumë njerëz që po protestojnë tani në Serbi, janë disi të zhgënjyer me këtë qasje të BE-së. A është politikë e gabuar?

“Po, unë mendoj kështu. [Presidenti i Francës, Emmanuel] Macron do që të shesë avionë, nëse mund ta bëjë një gjë të tillë. Dhe, kjo do të ndikojë në zvogëlimin e çdo pushteti apo ndikimi politik. Nëse Macron e bën shitjen, ai nuk do të angazhohet shumë për çështje të tjera. Unë mendoj se po shohim një trend shumë të keq në Ballkan.

Duket se po angazhohemi më shumë rreth Vuçiçit, ndërkohë që po humbasim nga pak Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Bullgaria është në një gjendje të tmerrshme.

Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Unë mendoj se BE-ja është disi fajtore për këtë në Ballkan. Vuçiç nuk është armik, por ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të, sesa duke promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.

Pra, Vuçiç është si Titoja, luan me shumë karta. Titoja ka luajtur kartën e Lindjes, Perëndimit, Lëvizjes së të Paangazhuarve. Vuçiç po luan me gjashtë apo shtatë karta që janë, nëse jo armiqësore, atëherë mjaft të kundërta… pra, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në njërën anë dhe Kina dhe Rusia në anën tjetër. Për sa kohë mund ta vazhdojë Vuçiç këtë lojë?

Mendoj se Vuçiç nuk e ka një pikë përfundimtare në mendje. Për dikë në pozicionin e tij, është si të ngasësh një biçikletë. Ai duhet të vazhdojë kështu përgjithmonë. Dhe ky është një synim më vete, vetëm të jesh në pushtet.

Por, kjo vjen me shumë pasiguri dhe rrezik…

“Po, nëse nuk jeni në pushtet, atëherë jeni të sigurt që nuk jeni në pushtet”.

Marrë me shkurtime nga REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë