Politike

Edhe Tabaku e kaloi pragun…

Jorida Tabaku, që me bashkimin e grupit të PD-së me ‘Rithemelimin’, u kooptua edhe anëtare e kryesisë, nuk kishte hyrë në selinë blu, (atë të vjetrën) qysh prej janarit të vitit 2022, kohë në të cilën, për shkak të trazirave të brendshme në parti, ajo u detyrua të futej nga dera anësore.

Dera kryesore e partisë kur drejtohej nga Lulzim Basha hapej vetëm për këtë të fundit.

Tabaku e kapërceu sikletin e parë. Ndaj dhe sot, në fillim të sesionit të ri parlamentar dhe vetëm 9 muaj nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Tabaku që synon një tjetër mandat deputeti, i ngjiti sërish shkallët. Pa droje.  Kësaj here nga dera kryesore.

Ajo iu bashkua mbledhjes së grupit parlamentar demokrat që drejtohet nga kolegu i saj Gazment Bardhi me të cilin ajo ruan marrëdhënie të mira politike.

Tabaku, e cila e ka parë veten gjithnjë pjesë të PD, e bëri kapërcimin e madh.

Për shumëkënd mund të duket lëvizje mekanike. Porse politikisht do të thotë shumë.

Sepse kush e ka kaluar atë prag njeh vetëm një kryetar; Sali Berishën, emri që hezitoi deri më tash Tabaku edhe pse e ka pranuar si realitet politik.

Por zgjedhjet kësaj here nuk janë fort larg...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë