Nga Gazeta Si- “Vlerësohet se cilësia e ajrit në qytetet e monitoruara (Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Fier, Shkodër), nuk është e një niveli shumë të mirë”, në këtë përfundim ka arritur Agjencia Kombëtare e Mjedisit pas një monitorimi në disa prej qyteteve më të mëdha në vend.
Së pari analizohet gjendja e grimcave të pluhurit (PM10 dhe PM 2.5). Sipas AKM bazuar në rezultatet e monitorimit kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 (40 µg/m3 ), në stacionin e Tirana Higjena dhe në stacionin e Elbasanit.
“Në stacionin e Tirana Higjena kemi një tejkalim të normës vjetore të PM10 në masën 35.4%, ndërsa në stacionin e Elbasanit kemi një tejkalim të normës vjetore në masën 19.62%. Referuar të dhënave vjetore në stacionin e Korçës, Tirana AKM dhe Tirana MTM, vlerat e PM10 i përafrohen normës vjetore, ndërsa referuar të dhënave mujore kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 në stacionin e Korçës vetëm në muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023. Kjo tregon që kemi rritje të grimcave të pluhurit PM10 vetëm në periudhën e ftohtë të vitit, si rezultat i përdorimit të lëndëve fosile ose drurit për ngrohjen e banesave. Vlera mesatare e PM10 për të tre muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023 është 59.51 µg/m³ dhe kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 (40 µg/m³) prej 48.8% vetëm gjatë dimrit” thuhet në raport.
Sa i takon treguesit PM2.5 referuar të dhënave mujore, kemi tejkalim të normës vjetore të PM2.5 në stacionin e Korçës në muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023.
“Ashtu si në rastin e PM10 kemi rritje të grimcave të PM2.5 vetëm në periudhën e ftohtë të vitit, kjo si rezultat i përdorimit të lëndëve fosile ose drurit për ngrohje në këtë qytet. Vlera mesatare e PM2.5 për të tre muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023është 44.47µg/m³ e shprehur në % kemi tejkalim të normës vjetore të PM2.5 prej 77.9%” nënvizon AKM.
Vlerësimi i situatës për NO2 ( Dioksid Azoti )
Referuar të dhënave mujore kemi tejkalim të normës vjetore të NO2 në stacionin e Tirana ASHR në muajt Janar, Gusht, Shtator, Tetor, Nëntor. Në muajt e tjerë të vitit vlerat mesatare mujore të NO2 janë shumë afër normës por nuk e tejkalojnë atë. Kjo rritje vjen si rezultat i qarkullimit të automjeteve shpesh herë me trafik të rënduar, shkruan AKM.
Sa i takon monoksidit të karbonit matja është realizuar në stacionet e Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Shkodrës, Tirana ASHR dhe Tirana Sauk. Bazuar në vlerat mesatare vjetore nivelet më të larta të CO janë monitoruar në stacionin e Elbasanit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.