Treg

Tregjet financiare / Shqiptarët, interes minimal për fondet e investimit

Nga Gazeta ‘SI’ – Opsionet alternative të investimit nuk janë ende në lupën e shqiptarëve.

Sipas të dhënave nga AMF, fondet e investimit vazhdojnë të kenë rritje anemike dhe deti në qershor 2024, raportohen 34.4 mijë anëtarë, me rritje 7% nga fundi i vitit 2023.

Matur sipas vlerës së aseteve, tregu ka portofole në shumën e 53.2 mld lekëve, me rritje 5.7% nga fundi i 2023-shit.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në obligacione qeveritare, të cilat përbëjnë 62.9% të aseteve të fondeve, me një rritje prej 4.2% krahasuar me dhjetor 2023.

Fondet e “Raiffeisen” janë ato që mbajnë pjesën më të madhe të tregut të fondeve të investimit, me më shumë se 30 mijë anëtarë më shumë se 45 mld lekë. Në total në treg operojnë 13 fonde.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregon se shqiptarët nuk janë më të interesuar as në borxhin e qeverisë. Edhe pse rreth 70% e borxhit publik i përket individëve, shpërndarë me letra me vlerë, pjesëmarrja nuk është më e njëjtë. Në maj 2024, numri i transaksioneve të qytetarëve me borxhin e qeverisë u reduktuan me 25%.

Fondet e Investimit janë një alternativë investimi ku asetet mund të grupohen dhe të krijohen portofole investimi, të cilat cilësohen si shumë të vështira për t’u krijuar nga një investitor individual në mënyrë të pavarur. Kthimi nga investimi në fond është në varësi të kushteve në treg, karakteristikave të fondit dhe strategjisë së investimeve që fondi vë në zbatim. Fondi i investimit nuk mund të garantojë një kthim të caktuar, si në rastin e depozitave. Ato kanë vetëm një tarifë administrimi, vjetore.

Pak kohë më parë, FMN i rekomandoi AMF-së të ushtrojë më shumë kujdes dhe të fokusohet në rritjen e këtij segmenti si një element me rëndësi për tregun financiar vendas.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë