Ka ndodhur

Ishte në arrest shtëpie për plagosje, në pranga Kevin Cungu! Abuzoi seksualisht me një 15-vjeçare

Nga Gazeta ‘Si’- Policia ka arrestuar një 22-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një vajzë të mitur në banesën e tij.

I arrestuari është identifikuar si Kevin Cungu, i cili vuante masën e sigurisë ‘arrest në shtëpi’.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasin 22 vjeç, banues në Tiranë, aktualisht me masë sigurimi personal “Arrest në shtëpi”, pasi dyshohet se në banesën e tij, ka kryer marrëdhënie seksuale me një 15-vjeçare, pa dëshirën e saj“, thuhet në njoftimin e policisë.

Cungu është emër i njohur për policinë. Ai është arrestuar në vitin 2021 për “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Kujtojmë që në 11 shtator 2020 Cungu plagosi me armë zjarri shtetasin Rexhep Xhekja.

Ndërkohë për sa i përket ngjarjes, ai prej disa muajsh komunikonte me vajzën 15-vjeçare. Këtë të fundit e ka bindur që të shkoj në banesën e tij. Aty 15-vjeçarja nuk ka pranuar që të kryej marrëdhënie me Kevin Cungun, por ky i fundit dyshohet se e ka dhunuar dhe më pas përdhunuar vajzën e mitur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë