Gazeta Si – Një 48-vjeçar është arrestuar pak ditë pas atentatit më 26 gusht, ku në fshatin Dushnik në Berat, u qëllua me armë zjarri në drejtim të një automjeti, me qëllim vrasjen e drejtuesit, Altin Halili, 46 vjeç.
Ky i fundit shpëtoi për mrekulli, duke mos u kapur nga asnjë plumb i autorëve, të cilët dyshohet se janë vrasës me pagesë.
Nga hetimet e thelluara, procedurale rezultoi se 48-vjeçari I.T., ka përkrahur autorët e ngjarjes, duke i larguar ata me automjet nga fshati Kozare, ku u gjet i djegur automjeti i tyre. Në këtë vend, u gjet edhe një automjet i djegur që dyshohet se është përdorur nga atentatorët.
48-vjeçari është ndaluar nga autoritetet i akuzuar për bashkëpunim me autorët. Këta të fundit nuk janë identifikuar ende dhe puna për kërkimin e kapjen e tyre vijon. Dyshimet e policisë janë se autorët mund të jenë banorë të qarkut Fier.
Më 26 gusht, 46-vjeçari Altin Halili u qëllua me armë në rrugën e fshatit Dushnik, por fatmirësisht nuk u prek nga plumbat.
Automjeti i tij u qëllua me 10 plumba në pjesën e pasme, ndërsa gëzhojat nuk u gjetën. Në fshatin Kozare, u gjet automjeti i djegur i autorëve, një “Hyundai” në ngjyrë ulliri.
Altin Halili ka qenë i dënuar me 15 vjet heqje lirie për vrasjen e Sokol Kaloshit në Lushnje, në 1997-n. Pas daljes nga burgu në vitin 2010, 46-vjeçari ishte larguar drejt Italisë dhe kishte pak kohë që ishte rikthyer.
I pyetur nga policia, dyshimet e tij ishin se atentati ndodhi si hakmarrje për vrasjen e kryer 27 vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.