Gazeta Si – Një 28-vjeçar, i identifikuar si Alban LLeshi, është arrestuar në Lezhë, pasi kërkohej për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali.
Siç bën me dije policia, 28 vjeçari nga Puka merrej me trafikim kokaine e heroine nga Belgjika në Itali.
“Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSh finalizon operacionin policor të koduar “Operacionalja 15”. Kapet në Lezhë, një 28-vjeçar i akuzuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale në Itali, për trafikim të lëndëve narkotike. Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera me partnerët në Itali, për vendndodhjen e një shtetasi shqiptar, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 15”, kapi në Lezhë dhe vuri në pranga shtetasin A. Ll., 28 vjeç, i lindur në Pukë”, – njofton policia.
Në vitin 2023, Gjykata e Bolonjës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në kuadrin e organizatës kriminale.
Gjatë muajit nëntor të vitit 2022, ky shtetas ishte pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e dogave të forta si kokainë e heroinë, nga Belgjika në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.