Gazeta Si – Një shpërthim me eksploziv në Shkodër është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të enjteje rreth orës 03:20, në lagjen “Skenderbeg”.
Objektivi dyshohet se ishte një agjenci funerale e cila sapo ishte hapur, teksa nuk u regjistruan viktima apo të lënduar, por vetëm dëme materiale. Lënda plasëse ishte vendosur në derën e subjektit që kujdeset për procesionet mortore.
Shpërthimi sipas policisë vendore u dëgjua rreth orës 03:20, kurse agjencia është në pronësi të Flora Firza, e cila gjithashtu po merret në pyetje për dyshimet që ka.
Persona të paidentifikuar dyshohet se janë afruar të maskuar duke vendosur tritolin dhe më pas janë larguar me shpejtësi.
Pista e parë e hetimit mbetet ajo e konkurrencës, teksa Policia ndodhet në vendngjarje për shoqërime, mbledhje provash dhe dëshmish, si dhe ndjekjen dhe kapjen e autorëve të krimit.
“Rreth orës 03:20, në lagjen “Skenderbeg”, në derën e një agjencie funerale në pronësi të shtetases F. F., (Flora Firza) është hedhur një sasi e vogël lëndë plasëse. Si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve”, – thuhet në njoftimin zyrtar paraprak të policisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.