Gazeta Si - Autoritetet e drejtësisë në Britanin e Madhe, kanë vendosur t’i hapin dritën jeshile ekstradimit të Edmond Haxhisë, Thomas Mithan, Harry Simpson dhe vajzës Harriet Bridgeman për në Shqipëri, pasi dyshohen se kanë organizuar vrasjen e Ardian Nikulajt në 19 prill 2023 në Shëngjin.
Sipas TopChannel, nga Gjykata e City of Westminster Magistrate Court, gjyqtari Daniel Sternberg, e gjeti të bazuar në aktin britanik të ekstradimit, kërkesën e shtetit shqiptar.
Për Steven Hant, i cili po ashtu dyshohet se ka qenë në rolin e vëzhguesit gjatë ngjarjes nuk është vendosur, për shkak se pala mbrojtëse ka thënë se ai vuan nga një sëmundje e rëndë.
Ky nuk është vendim i formës së prerë për shkak se të arrestuarit kanë të drejtë të apelojnë në Gjykatën e Lartë britanike për të kundërshtuar këtë ekstradim.
Gjyqtari Stenberg në seancën që ka zgjatur pak minuta tha se ai ka vendosur ta dërgojë këtë çështje për firmën e sekretares së punëve të brendshme Yvette Cooper.
Arritja e këtij suksesi në marrjen e dritës jeshile të ekstradimit të tyre vjen pas një letër garancie lëshuar nga kryeprokurori i Lezhës Erion Shehaj e më pas mori firmën e ministrit të drejtësisë Ulsi Manja.
Në letër garanci thuhet se Edmond Haxhia nuk do të akuzohet për vrasje për shkak të gjakmarrjes vepër penale e cila dënohet me 30 vite burg deri burg përjetë.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u vra me 19 prill 2023 teksa po pinte kafen në lokalin e tij në Shëngjin.
Sipas hetimeve, rezultoi se vrasja është porositur nga Edmond Haxhia. Ruben Saraiva luajti rolin e ekzekutorit ndërsa britanikët, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, dhe Harry Simpson, ishin vëzhguesit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.