Politike

PS-PD dakord që mandati i Olta Xhaçkës të shqyrtohet në seancën e 12 shtatorit, Bardhi: Keni konsumuar vepër penale

Nga Gazeta Si- Kuvendi i Shqipërisë u mblodh këtë të martë jashtë sesionit parlamentar për të shqyrtuar në Këshillin e Legjislacionit mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Vendimi u mor nga kryetarja e parlamentit Elisa Spiropali pas kërkesave së Kryetarit të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, në 8 gusht.

Klotilda Bushka, deputete e Partisë Socialiste, shprehu dakordësinë e saj lidhur me draft-raportin e paraqitur nga opozita lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Bushka tha se është dakord që në seancën e parë të Kuvendit të Shqipërisë Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancë “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.

Por, Bushka shtoi se nuk ka pse të ketë një raport, por të veprohet në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Gazmend Bardhi i Partisë Demokratike, në një replikë me Bushkën, tha se çështja nuk është aq e thjeshtë saç mundohet ta paraqesë ligjvënësja socialiste. Bardhi theksoi se deputetët socialistë injoruan Kushtetutën dhe vendosën të mos zbatojnë vendimin e saj.

“Dhatë mesazhin më të gabuar, sepse vutë në diskutim zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Ju dhatë mesazhin se nuk zbatoni vendime të drejtësisë nëse bien ndesh me interesat tuaja. Duhet të kishte një veprim nga drejtësia në këtë rast, pasi pengimi për të zbatuar një vendim gjyqësor është krim”, tha Bardhi.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo gjë, kemi një dispozitiv të Gjykatës Kushtetuese, pasi ju nuk pranoni të zbatoni vendimin. Për mbi dy vjet mbrojtët Olta Xhaçkën, shpërfillët vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Keni kryer krim. Moszbatimi i një vendimi të GJK është vepër penale”, shtoi Bardhi.

Mënyra e vetme për zbatimin e këtij vendimi te Gjykatës Kushtetuese është ndjekja e procedurës parlamentare si më poshtë:

1. Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.

2. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.

3. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

4. Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”, thuhet ne raportin e hartuar nga demokratja Dhurata Çupi.

Beteja e demokratëvë për mandatin e Olta Xhackës vijon prej dy vitesh mes ecejakeve Parlament-Gjykatë Kushtetuese. Opozita po nxiton ti heqë mandatin Xhackës para se ti mbarojë natyralisht pasi neni 66/a i ligjit për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, parashikon se kërkesa për papajtueshmërinë e mandatit të deputetit mund të paraqitet në Kushtetuese jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të tij.

Më 24 qershor 2022 , Këshilli i Mandateve është mbledhur pas kërkesës së opozitës për heqjen e mandatit të deputetes të Partisë Socialiste Olta Xhaçka.

Kjo situatë e krijuar erdhi për faktin se një subjekt privat, të cilin e menaxhon bashkëshorti i Xhaçkës, ka marrë statusin e “investitorit strategjik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë