Nga Gazeta Si- Në javën e tretë të muajit gusht, testimet pozitive për virusin Covid-19 në qendrat shëndetësore dhe në laboratorin e ISHP janë rritur ndjeshëm, me 25.5%, sipas të dhënave zyrtare që raporton sistemi i survejancës në Institutin e Shëndetit Publik. Për Gazetasi.al, burime nga ISHP thonë se aktualisht janë kryer 627 testime për Covid-19 nga të cilat 25.5% ose 160 raste rezultuan pozitive.
“Situata e Covid-19, sikurse u parashikua nga OBSH, është e njëjtë në gjithë rajonin e Evropës, ku aktualisht ka vetëm qarkullim të këtij virusi. Rastet me temperature të lartë, dhimbje trupi, probleme me frymëmarrjen deri në bronkopneumoni, infeksionet e rënda në mushkëri, kanë bërë që 40 pacientë të kërkojnë trajtim të specializuar në spitalin infektiv në QSUT”, thonë burimet për Gazetasi.al.
Ndonëse tashmë Covid-19 konsiderohet një virus i zakonshëm për të cilin nuk mbahen statistika, në qendrat shëndetësore janë kryer afro 84 % e testimeve ndërsa 16% në laboratorin e ISHP.
“Moshat më të rriskuara mbeten të moshuarit, sidomos ata që kanë dhe sëmundje bashkëshoqëruese apo vuajnë nga pneumoni kronike. Ka raste që kanë pasur mungesë oksigjeni në gjak e për këtë arsye, janë hospitalizuar ose po marrin terapi në shtëpi me bombol oksigjeni e antibiotikë venozë, terapi e njëjtë si me rastet e rënda gjatë periudhës së pandemisë”, thonë mjekët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




