Nga Gazeta Si – Ndeshja “Vllaznia-Tirana” që u luajt mbrëmë në Loro Boriçi, është kthyer në një sherr masiv mes tifozëve dhe policisë pas një goli. Pasi Vllaznia ka shënuar gol, tifozët e Tiranës kanë hedhur kapsolla në fushë.
Gjithashtu ata kundërshtuan dhe dhunuan punonjësit e Policisë të angazhuar për të garantuar rend dhe qetësi në stadium.
“Rreth orës 20:30, të datës 25.08.2024, në stadiumin “Loro Boriçi”, Shkodër, ku zhvillohej ndeshja e futbollit e kategorisë superiore ndërmjet ekipeve “Vllaznia- Tirana”, pas shënimit të golit, tifozët e ekipit të Tiranës, hodhën në fushë lëndë piroteknike.
Të arrestuar në flagrancë janë 4 shtetasit e shoqëruar mbrëmë, menjëherë pas ndeshjes, D. P., 29 vjeç, Sh. X., 22 vjeç, Sh. S., 29 vjeç dhe A. S., 39 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, kryer në bashkëpunim dhe duke ushtruar dhunë fizike;
Proceduan në gjendje të lirë, për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Veprime të dhunshme në aktivitetet sportive”, shtetasin M. L., 30 vjeç, banues në Tiranë. Nga kontrolli fizik, 30-vjeçarit iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, 1 kapsollë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Ndeshja e futbollit e kategorisë superiore ndërmjet ekipeve “Vllaznia- Tirana” përfundoi me rezultatin 2-2.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.