Mendim

Nga Sky ECC tek Telegram, analiza e Eduard Halimit: Pse arrestimi i Pavel Durov ngjall frikën e një skandali të ri global

Nga Eduard Halimi - Sky ECC, një nga aplikacionet më të njohura për komunikime të koduara, u zbulua dhe u zberthye nga autoritetet franceze në vitin 2021, pas një urdhëri nga gjyqtari francez, duke krijuar një nga rastet më unike në historinë globale të drejtësisë.

Ky hetim rezultoi në arrestimin e shumë personave të lidhur me rrjetet kriminale që përdornin këtë aplikacion për aktivitete të paligjshme. Një ndër arrestimet më të bujshme ishte ai i CEO-së së Sky ECC, Jean-François Eap, i cili u akuzua për menaxhimin e një platforme që u përdor masivisht nga organizatat kriminale.

Zbulimi dhe goditja e Sky ECC shkaktoi një valë arrestimesh në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë, ku disa zyrtarë, gjyqtarë dhe prokurorë u zbuluan se ishin në bashkëpunim me kriminelët përmes përdorimit të këtij aplikacioni. Ndërthuren aty sa vrasjet, po aq lidhjet me politikën per zgjedhjet e vitit 2021, mardhënien me drejtuesit e lartë të gjyqësorit dhe prokurorisë për tia kaluar x apo y prokurori dosjen pasi miku ynë politikan na e zgjidh me të!

Kjo ndërhyrje ishte një goditje e rëndësishme kundër krimit të organizuar, lidhet me politikën dhe zyrtarët e drejtësisë duke dëshmuar fuqinë e ligjit ndaj teknologjisë së krimit.

Sot, historia duket se po përsëritet, pasi themeluesi i Telegram, Pavel Durov, është arrestuar në një aeroport në Francë.

Arrestimi i Durov ngre pyetje të mëdha rreth sigurisë dhe privatësisë në epokën e komunikimeve të koduara.

A është e mundur që Telegram të përfundojë në të njëjtin skenar si Sky ECC?

Nëse autoritetet do të kishin qasje në të dhënat e koduara të Telegramit, kjo do të mund të zbardhte një rrjet të gjerë komunikimesh të paligjshme, të ngjashme me ato që u zbuluan nga Sky ECC. Telegram është përdorur gjerësisht jo vetëm nga përdorues të thjeshtë, por edhe nga individë dhe grupe që kërkojnë një nivel të lartë sigurie në komunikimet e tyre.

Në Shqipëri, pas mbylljes së Sky ECC në vitin 2021, Telegram ka vazhduar të përdoret në mënyrë të vrullshme nga individë dhe grupe që kërkojnë privatësi në komunikim. Megjithatë, ndryshe nga Sky ECC, Telegram është një platformë publike me mbi 900 milion përdorues në të gjithë botën, dhe çdo ndërhyrje ligjore ndaj tij do të përbënte një sfidë të jashtëzakonshme në ruajtjen e balancës mes sigurisë publike dhe privatësisë individuale.

Në përfundim, ndërkohë që rasti i Sky ECC ka vendosur një precedent të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, arrestimi i Pavel Durov dhe ndërhyrja e mundshme ndaj Telegramit do të sjellë sfida të reja dhe komplekse.

Mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të jetë në gjendje të përballojë këto sfida pa kompromentuar të drejtat e privatësisë që shumë përdorues të Telegramit e konsiderojnë thelbësore.

Deri tani ende nuk ka të dhëna zyrtare mbi arrestimin e pronarit të Telegram por teoritë konspirative janë vënë në lëvizje!

Ndaj le të presim para se të bëjmë një analizë më te zgjeruar dhe lidhje mes tyre!


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë