Vetë Kujtim Mema nuk është student, por ai është pjesë e një numri të madh qytetarësh që i janë bashkuar asaj duke sakrifikuar jo pak. 50-vjeçari rrëfen për gazetën “Si” se është nga Kukësi, por punon si emigrant në Gjermani.
Ai ka dy vajza studente, njëra që studion për Gjuhë-Letërsi dhe tjetra për matematikë, ndërsa djalin e ka në gjimnaz. Na thotë se ka ardhur enkas nga Gjermania.

“U kanë hequr studentëve çdo të drejtë morale. U kam kërkuar fëmijëve që t’i marr në Gjermani, por nuk duan dhe unë kam ardhur për t’i mbështetur”, tregon Kujtimi.
Në protestë thotë se nuk ka dalë vetëm për vajzat, por edhe për djalin, që e ka në shkollën profesionale Teknike Ekonomike në Tiranë.
“Isha si prind atje. U skandalizova me pllakat e 1985 akoma. Në një klasë të vogël bënin mësim 35-40 nxënës. Bëjnë fasada nëpër ministritë dhe lënë nxënësit e studentët në këtë gjendje”, thotë ai.
Kujtimi nuk është i vetmi në këtë protestë që nuk është studentë. Prindër studentësh si ai gjen plot, por ka edhe ish-studentë e qytetarë të tjerë, që u gjenden në krah kërkesave të studentëve. Mes tyre është edhe Edlira Xhafa.
Ajo i ka mbaruar studimet 20-vite më parë, pa tarifë shkollimi dhe thotë se ka ardhur në protestë nga Durrësi çdo ditë për t’u solidarizuar me protestën e studenteve.

Në këtë protestë Edlira u takua më Kujtim Gjocin, i cili sapo ka përfunduar studimet në gjimnaz dhe ka udhëtuar nga Lezha për t’u solidarizuar me protestën. Kujtimi shpreson që të nisë studimet vitin tjetër në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




