Gazeta Si – Një 68-vjeçar është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda shtëpisë së tij në fshatin Lajthizë të Mirditës. Viktima është Frederik Radi, i cili dyshohet që të jetë qëlluar nga dritarja.
I ndjeri u gjet i pajetë nga vajza e tij e cila kishte shkuar në këtë banesë pasi i ati nuk po i përgjigjej prej 2 ditësh. Në shtëpinë ku ndodhi krimi, 68-vjeçari kalonte muajt e verës dhe nuk banonte aty gjatë vitit.
Sipas grupit hetimor të policisë, mendohet se 68-vjeçari u qëllua nga dritarja e dhomës ku flinte.
Deri në këto momente janë shoqëruar në komisariat disa banorë të këtij fshati.
Në drejtimin e Prokurorisë, po kryhen hetime intensive për të identifikuar dhe kapur autorin/ët e rastit si dhe për të zbardhur rrethanat.
“Më datë 20.08.2024, shtetasja L. Radi ka njoftuar Policinë se ka gjetur të pajetë babanë e saj, shtetasin Frederik Radi, 68 vjeç, në banesën e familjes në fshatin Lajthizë, njësia administrative Orosh, ku 68-vjeçari kalonte muajt e verës. Prej 2 ditësh ai kishte humbur kontaktet me familjarët. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur shërbimet e Policisë vendore dhe grupi i posaçëm hetimor. Nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes dyshohet se 68-vjeçari është qëlluar me armë zjarri, nga dritarja e dhomës ku flinte, dhe si pasojë ka humbur jetën”, njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




