Kuriozitete

A mund të jetë qenushi terapisti juaj?

Nga Gazeta 'Si'-Të dhënat e fundit tregojnë se edhe qentë e pastërvitur mund të ofrojnë përfitime për shëndetin mendor.

Në kohët që jetojmë, stresi është bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Çdo ditë, njerëzit përballen me faktorë që shkaktojnë ankth, duke përfshirë problemet financiare, shqetësimet e përditshme dhe vështirësitë familjare. Si shkak i këtyre shqetësimeve, shëndeti ynë psikologjik dhe emocional vuan pasojat.

Fatkeqësisht, nga dhjetëra miliona njerëz që përballen me probleme emocionale, më pak se gjysma marrin trajtim të mirëfilltë psikologjik. Një nga arsyet që shumë probleme emocionale mbeten të patrajtuara ka të bëjë me koston e lartë të trajtimit, ndërsa një tjetër arsye lidhet me vështirësitë dhe pasiguritë që ende ekzistojnë për të kërkuar ndihmë psikologjike.

Për këtë arsye, shumë njerëz me probleme emocionale shpesh kërkojnë "kurime" alternative, si terapi arti, shahu, terapi me rërë, terapi kulinarie e të tjera. Megjithatë, sipas disa studimeve të reja, një nga mënyrat më të mira për të përmirësuar shëndetin tuaj mendor mund të jetë thjesht të merrni një qen si mikun tuaj më besnik. Efektet pozitive të qenve si terapistë në lehtësimin e problemeve psikologjike të lidhura me ankthin, janë të studiuara dhe provuara.

Si mund të ofrojë një qenush përfitime terapeutike?

Përfitimet emocionale dhe mendore që ofrojnë qentë duket se burojnë nga sjelljet e tyre natyrale, të cilat ndikojnë pozitivisht te njerëzit, më shumë sesa nga ndonjë sjellje e stërvitur specifikisht për ndihmë psikologjike.

Në studimin “Pet’s influence on humans’ daily physical activity and mental health: a meta-analysis”, 69% e pronarëve raportuan se qentë e tyre përmirësuan mirëqenien e tyre mendore dhe emocionale duke i ngushëlluar kur ishin të trishtuar, dhe ky lloj ngushëllimi i ndihmoi ata gjatë periudhave të përgjithshme stresuese (60%).

Të tjerë raportuan përmirësime sepse qeni i tyre i kushtoi vëmendje dhe i dëgjoi kur kishin nevojë të shfryheshin (45%).

Në këtë studim, pronarët e qenve raportuan se kafshët e tyre përmirësonin humorin e tyre mesatarisht nëntë herë çdo ditë, duke i bërë të qeshnin (73%), duke luajtur (68%), duke u përkëdhelur me ta (67%), ose thjesht duke qenë një prani ngushëlluese dhe duke pushuar me ta në divan (64%).

Është për t'u habitur, por 61% e të anketuarve e vlerësojnë kohën që kalojnë me qenin e tyre si pjesën më të mirë të ditës së tyre


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë