Gazeta Si – Ministria e Mbrojtjes, raporton se gjatë 24 orëve të fundit, janë evidentuar 44 vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, nga të cilat 34 janë shuar dhe janë vënë nën kontroll, ndërsa 10 vatra mbeten ende aktive, por janë nën monitorim pa ndërprerje.
Gjatë ditës së sotme, strukturat operacionale në nivel vendor dhe qendror, mbështetur edhe me ndërhyrje nga ajri nga ekipi rumun janë angazhuar për shuarjen dhe izolimin e vatrave të zjarrit.
Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në malin e Tomorrit, malin e Thatë në Prespë, bjeshkët e Bollotekut dhe malin e Tërnovës në Bulqizë, të cilat janë larg qendrave të banuara.
Për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit janë angazhuar 275 forca zjarrfikëse, 219 forca ushtarake, 44 efektive nga policia e shtetit, 161 struktura të emergjencës civile të pushtetit lokal, 52 nga administrata e zonave të mbrojtura, 54 shërbimi pyjor, si dhe 98 vullnetarë.
Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile u kërkon autoriteteve lokale, në zbatim të ligjit, të mbajnë në gatishmëri strukturat e sistemit të mbrojtjes civile si dhe të aktivizojnë kapacitetet e subjekteve publike e private për përballimin dhe lehtësimin e situatës nga zjarret.
Ndërkohë, policia ka proceduar penalisht në gjendje të lirë dy persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, një në Dibër dhe një në Mallakastër.
Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve operacionale, të kryera me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, identifikuan dhe proceduan penalisht shtetasin S.S., 60 vjeç, banues në fshatin Erebarë, Dibër.
Ai dyshohet se ka ndezur zjarr për të pastruar një sipërfaqe kullosore e si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe e madhe me bimësi”, njofton policia.
Ndërkohë në Mallakstër është proceduar shtetasi S. L., 34 vjeç, pasi dyshohet të jetë autori i vënies së zjarrit në pyllin e fshatit Çërrilë, duke djegur pemë dhe ullishte.
Në këtë zonë, ndërhyrja e forcave të Policisë dhe zjarrfikëses vijon punën për shuarjen e vatrave të zjarrit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




