Ka ndodhur

20 vatra zjarri në vend, 16 aktive. Prespa mbetet kritike, avioni rumun vijon operacionin

Në të gjithë vendin janë evidentuar 20 vatra zjarri, nga të cilat 6 janë shuar, njoftoi Ministria e Mbrojtjes, lidhur me situatën më të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, 14 vatra zjarri mbeten ende aktive.

Në Parkun Kombëtar të Prespës në Malin e Thatë, vijon puna për shuarjen e zjarrit që zhvillohet në një terren të vështirë dhe me bimësi lehtësisht të djegshme. Në operacionin e sotëm u angazhuan avioni rumun C-27J Spartan, forca nga bashkitë e Pogradecit, Pustecit dhe Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura.

Në Bjeshkën e Bollotekut në afërsi të Lumit Gashit vatra është aktive në pyje ahu dhe pishë e zezë. Vijojnë përpjekjet për izolimin e vatrës që për shkak të terrenit mori përmasa.

Në fshatin Ujanik, në bashkinë e Skraparit, zjarri është aktiv për shkak të terrenit shkëmbor dhe pjerrësisë, gjë që e bën tejet të vështirë ndërhyrjen e forcave nga toka. Vatra po zhvillohet në drejtim të “Vendit të Shenjtë”, ku është stacionuar një mjet zjarrfikës.

Mbi fshatin Sotirë, në Dropullin e Sipërm zjarri është aktiv, por me intensitet të ulët. Në mbështetje të forcave shkuan 15 trupa dhe 1 mjet i FA-së.

Një vartër zjarri në drejtim të fshatit Sopik, të njësisë administrative Pogon, flakët e të cilit kanë mbërritur nga territori grek, po mbahet nën monitorim.

Në fshatin Sinanaj, zjarri i rënë në një sipërfaqe pyjore, nuk përbën rrezik për përhapje. Pa rrezikshmëri paraqitet edhe vatra në fshatin Reshepaj, të bashkisë Selenicë.

Në vendin e quajtur “Syri i Kaltër” në fshatin Theth, të bashkisë Shkodër, forcat operacionale po punojnë për të shmangur përhapjen e zjarrit.

Zjarri në vendin e quajtur “Guri i Nënshtegut”, në fshatin Theth, po mbahet nën monitorim nga forcat operacionale dhe vullnetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë