Gazeta Si - SPAK ka urdhëruar sekuestrimin dhe konfiskimin e pronave dhe pasurive të Alket Hatijas, i njohur ndryshe si "Zoti i drogës" dhe i dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia italiane, pasi dyshohet se rrjedhin nga burime kriminale.
Pas një kalvari të gjatë me të gjitha shkallët e gjyqësorit për të shmangur ekstradimin prej disa vitesh, autoritetet tona e arrestojnë dhe ekstradojnë në Itali vitin e shkuar.
Por pas procedurave të kryera, Gjykata e Apelit të Milanos e liron në dhjetor 2023 me argumentin se Hatija e kishte shlyer dënimin në Shqipëri.
Kalvari me gjykatat
Pas arrestimit në 30 gusht të vitit 2023 në Durrës, Hatija ekstradohet nga autoritetet shqiptare në Itali për të vuajtur dënimin e dhënë me 20 vite burg për trafik heroine nga drejtësia e këtij vendi.
Fillimisht, një vendim i shkallës së parë të Gjykatës së Durrësit pengoi në vitin 2017 ekstradimin e tij në Itali me motivin se për të njëjtat akuza e kishte kryer dënimin në Shqipëri.
Në shtator të vitit 2009, Gjykata e Lartë vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit për ekstradimin e Alket Hatisë drejt Italisë.
Vendimi u ankimua sërish nga Hatia në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se po vuante dy herë dënimin për të njëjtën vepër penale dhe se nuk i ishte garantuar mbrojtja me avokat sipas ligjit.
Gjykata e Kushtetuese vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë, me argumentin se Alket Hatisë i është dhënë mundësia për t’u mbrojtur me avokat.
Prej shtatorit 2021, Alket Hatija humbi gjurmët, u shpall në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe u arrestua në gusht të këtij viti.
Lirimi
Pas ekstradimit në Itali dhe nisjes së gjyqit, Gjykata e Apelit të Milanos, me vendim të datës 11 dhjetor 2023, konsideron se dënimi i kryer në Shqipëri, vendim i dhënë nga gjykatat shqiptare me 10 vjet burg, është për të njëjtat vepra penale dhe në këto kushte konsiderohet i shlyer.
Brenda afateve ligjore, mbrojtësit e Hatisë bënë ankim në gjykatë pas ekstradimit të tij nga Shqipëria në Itali.
Sipas Kodit të Procedurës Penale të Italisë, personat e ekstraduar kanë të drejtë të rihapin procesin brenda afatit ligjor prej 30 ditëve, praktikë që u ndoq kësaj here edhe nga avokatët e të pandehurit.
Me rihapjen e procesit gjyqësor, Gjykata e Apelit të Milanos ka lënë të lirë Hatinë, duke përmbyllur përfundimisht një proces të gjatë betejash me gjyqësorin shqiptar dhe italian.
Megjithatë, për autoritetet italiane, Hatija njihet si “Zot i Drogës” e drejtues i një organizate trafiku kokaine e heroine.
Ai u akuzua se kishte transportuar 350 kilogramë heroinë dhe 190 kilogramë kokainë në Milano nga janari 2003 deri në mars 2004. Ngarkesat kapnin vlerën 35-45 milionë euro sipas policisë italiane.
Pasuritë
Konkretisht SPAK ka konfiskuar 2 troje një lagjen ‘Plazh’ në Durrës me sipërfaqe totale 815 m2 në emër të Alket Hatijës, si dhe një garazh me sipërfaqe 14.74 m2, po në këtë lagje në pronësi të M.H i afërm i Alket Hatijës. Në lagjen ‘Taulantia’ është sekuestruar një apartament me sipërfaqe 118 m2, në pronësi të F.H., i afërm i Hatijës. Ndërsa në Kavajë në Kryemëdhenj, është konfiskuar një tejtër apartament me sipërfaqe totale 65 m2, në pronësi të F.H.
Po ashtu është konfiskuar edhe një makinë BMW e vitit 2003 si dhe 49% të aksioneve në pronësi të Alket Hatijës në firmën e mermerëve, ‘Aquila Marble’.
Njoftimi i SPAK
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.24, datë 31.10.2023, ndërmjet të tjerave ka vendosur konfiskimin dhe kalimin në favor të shtetit të pasurive si më poshtë:
Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 495 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija.
Pasurinë e paluajtshme e llojit “truall”, me sipërfaqe 320 m2, me adresë Lagjia “Plazh”, Durrës, në pronësi të shtetasit Alket Hatija;
Pasurinë e paluajtshme e llojit “garazh”, me sipërfaqe 14.74 m2, me adresë Lagjia Nr.13, Plazh, Durrës, në pronësi të personit të lidhur M. H.
Pasurinë e paluajtshme e llojit apartament, me sipërfaqe 118 m2, me adresë Lagjia nr.1, Rruga “Taulantia”, Durrës, në pronësi të personit të lidhur F.H.
Pasurinë e paluajtshme e llojit “apartament”, me sipërfaqe totale 65 m2, me adresë Kryemëdhenj, Kavajë, në pronësi të shtetasit F. H.;
Automjetin tip autoveturë i markës BMË, prodhim i vitit 2003;
49% të kuotave të subjektit “Aquila Marble” sh.p.k., që i përkasin personit të lidhur M.H.;
Kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kanë ushtruar ankim subjekti Alket Hatija e personat e lidhur me të dhe Gjykata e Posaçme e Apelit Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.137 datë 05.07.2024 ka vendosur:
Lënien në fuqi të vendimit nr.24, datë 31.10.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.