Ka ndodhur

Tiranë/ Shantazhonin vajza me foto e video intime për t’u marrë para, në pranga 2 vëllezër

Gazeta Si – Dy vëllezër janë prangosur në Tiranë, pasi shantazhonin vajza me foto e video intime që ia kishin marrë me mashtrim në komunikimet që kanë pasur në rrjetet sociale.

Sipas policisë, dy djemtë e kërcënonin do t’i publikonin fotot nëse ajo nuk u dorëzonte shuma të caktuara parash.

Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit H. M., 20 vjeç, dhe J. M., 18 vjeç (vëllezër), banues në Tiranë. Në dy raste, vajza kishte marrë pa leje nga shtëpia rreth 1 milion lekë dhe ua kishte dorëzuar shantazhuesve që të mos i shpërndanin fotot.

Por djemtë nuk u mjaftuan dhe i kërkuan sërish para. Vajza më pas u tregoi prindërve dhe pas kallëzimit në polici, u bë i mundur arrestimi i dy vëllezërve.

“Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të dy vëllezërve, të cilët dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile nëpër aplikacione virtuale, dhe pas komunikimeve me persona të ndryshëm, kryesisht të gjinisë femërore, siguronin materiale foto e video intime, dhe për mospublikimin e këtyre materialeve, kërkonin shuma të ndryshme parash. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera janë dokumentuar ligjërisht 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale, nga të cilat dy vëllezërit kanë përfituar shuma parash nga një 14-vjeçare. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash dhe 2 celularë”, – njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë