Ka ndodhur

Aksident tragjik në Fier, makina përplaset me shtyllën dhe bie në kanal. Humb jetën 29-vjeçari

Gazeta Si – Një 29-vjeçar ka humbur jetën në një aksident të rëndë të ndodhur në mesnatë, ku viktimë ka mbetur Erjon Fredi Kuka nga Divjaka.

Aksidenti ka ndodhur në aksin rrugor të quajtur Pushimi Shoferit-Krutje, në fshatin Zhym të qarkut të Fierit.

Nga pamjet, shihet se makina ka përfunduar në kanal, ndërkohë që forcat zjarrfikëse po mundohen ta nxjerrin.

I riu ka humbur jetën në vendngjarje për shkak të goditjeve të forta që ka marrë, ndërkohë makina është shkatërruar plotësisht.

Makina fillimisht është përplasur me shtyllën elektrike, e më pas ka përfunduar në kanal. Ajo ishte marrë me qira në emër të Ardiol Rista.

Sipas dinamikës fillestare të vendngjarjes, dyshohet se shoferi ka qenë me shumë shpejtësi dhe mjeti ka dalë nga rruga kryesore, duke kryer përplasje dhe rrokullisje, teksa është dëmtuar tërësisht duke u shembur në kanalin anësor, pranë murit të një banese në dukje sipas pamjeve.

Policia e Qarkullimit Rrugor ngriti një grup hetimor me ekspertë për rrethanat dhe shkaqet e aksidentit, kurse ajo e rendit dhe prokurori i gatshëm për hetimet nëse ka pasur faktorë të tjerë në aksident, përveç pakujdesisë.

Po priten rezultatet e pamjeve të kamerave të sigurisë, verifikimi i dokumentacionit dhe rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, për të vlerësuar nëse viktima ishte në gjendje të dehur apo ka pasur probleme shëndetësore. Vendi ku ka ndodhur aksidenti njihet si njollë e zezë në hartën e aksidenteve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë