Gazeta Si – Një krim brenda familjes ka ndodhur mëngjesin e kësaj të marte, rreth orës 07:00 në fshatin Shalës, Bashkia Konispol. Një 69-vjeçar, Hysen Islamaj, pas një konflikti në banesë ka vrarë me sëpatë gruan e tij, Shano Islamaj, 66 vjeçe për motive të dobëta sipas policisë.
Më pas, i moshuari është konfliktuar me djalin e tij, Klementin Islamaj, i cili gjatë debatit e ka shtyrë të atin nga shkallët. Si pasojë i moshuari ka humbur jetën.
Policia, pas njoftimit të marrë, ka shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e stacionit policor të autorit të dyshuar, Klementin Islamaj.
Sipas burimeve paraprake, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, djali i tyre, Klemendin Islamaj, 40-vjeç ishte në lokal kur vajza e tij e ka lajmëruar se gjyshi ka vrarë gjyshen me sëpatë.
Dyshohet se sapo ka arritur në banesë, ai është konfliktuar me babain e tij dhe e ka hedhur nga shkallët, ku dyshohet se i moshuari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Gjithnjë sipas burimeve, 69-vjeçari njihej si person i konflikteve në atë zonë. 40-vjeçari, i cili jetonte bashkë me prindërit, gruan dhe dy fëmijët e tyre, aktualisht është shoqëruar në polici dhe po merret në pyetje, mbi detajet e ngjarjes.
“Rreth orës 07:00, në fshatin Shalës, Konispol, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, në banesë, shtetasi H. I., 69 vjeç, ka vrarë me mjet prerës (dyshohet sëpatë) bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. I., 66 vjeçe. Më pas, shtetasi H. I. dyshohet se është konfliktuar me djalin e tij, shtetasin K. I., rreth 40 vjeç, i cili e ka shtyrë shtetasin H. I. nga shkallët e banesës. Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi H. I. ka humbur jetën në vendngjarje”, njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



