Mbrëmjen e së dielës, u mbajt në TKOB, koncerti lirik i sopranos së mirënjohur shqiptare, Ermonela Jaho, me praninë edhe të tenorit Charles Castronovo.
I titulluar “Rikthimi i dallëndyshes”, koncerti i Ermonela Jahos përçoi magjinë e emocioneve të forta tek të pranishmit në sallë.
“Një nga ato netë që do të mbetet gjatë në memorien e secilit prej nesh”, thuhet në postimin e TKOB në rrjetet sociale.
Sopranoja me famë ndërkombëtare, e kishte vlerësuar këtë koncert si një rikthim për t’i dhënë kësaj skene sadopak nga dashuria dhe mirënjohja që i ka dhënë ky vend dhe çdo zemër shqiptare.
Në pritje të fillimit të koncertit, në shkallet e TKOB u krijua radhë e gjatë njerëzish. Biletat për këtë koncert u shitën në kohë rekord.
Ata që nuk mundën të ishin brenda në sallë e ndoqën koncertin në një ekran në ambientet e jashtme të TKOB-së.
Programi përmbante arie nga më të njohurat e repertorit operistik botëror të cilat u luajtën nga virtuozët e orkestrës të TKOB-së, drejtuar prej maestro Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.