Nga Gazeta 'SI' - Zhvlerësimi i euros në Shqipëri nuk ka dëmtuar vetëm arkën e eksportuesve, por edhe atë të qeverisë.
Në raportin e zbatimit të buxhetit 2023, ministria e Financave thotë se dobësimi i kursit të këmbimit është ndjerë fort tek TVSH-ja në import, duke arkëtuar më pak para në buxhetin e shteti.
“Gjatë vitit 2023 ka patur një deviacion të theksuar në ulje nga ky kurs këmbimi i projektuar, çka ka impaktuar ndjeshëm të ardhurat nga TVSH në import. Baza mbi të cilën llogaritet tatimi mbi vlerën e shtuar në import, është impaktuar jo vetëm nga tendenca në rënie e çmimeve të mallrave të importuara në 2023 krahasuar me rritjen e tyre në vitin 2022, por më së shumti, nga ulja e vlerës mbi të cilën llogaritet TVSH në import për shkak të kursit të këmbimit”, thuhet në raport.
E njëjta tendencë konfirmohet dhe në 2024-n, pasi TVSH-ja në import, dikur zëri kryesor i të ardhurave për shtetin është dobësuar ndjeshëm dhe është zëvendësuar nga tatimi mbi të ardhurat personale.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë kërkoi ndihmën e qeverisë për të menaxhuar dobësimin e mëtejshëm të euros, pasi “BSH e vetme s’mund të bëjë gjë”. Edhe pse mesi i sezonit veror, euro ka disa javë që rrokulliset rreth 100 lekëve dhe kjo përshkak të ndërhyrjeve të shpeshta të Bankës, me blerje të euros.
Duke konfirmuar prezencën e parave të pista në qarkullim, BSH tha se ky është kursi i ri i euros.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.