Ekonomia e Eurozonës ka ngecur. Kështu tregojnë shifrat e anketës së biznesit europian, ku sektori i prodhimit ka pësuar rënie të theksuar.
Indeksi rezultoi 50.1 pikë, vetëm 0.1 pikë mbi nivelin që përcakton tkurrjen.
Ekspertët prisnin që nga muaji i shkuar kur indeksi ishte 50.9, këtë muaj të shkonte 51.1, por pritshmëritë e tyre dolën të pasakta.
Për analistët, tensionet në tregtinë botërore dhe pasiguria politike do ta rrënojnë më tej ekonominë e zonës.
“Shifrat vënë në pikëpyetje të gjithë rikuperimin që prisnim”, thotë Vincent Stamer, një ekonomist i një banke gjermane.
Banka Qendrore Europiane refuzoi të ulte normën e interesit në mbledhjen e një jave më parë. Shefja Christine Lagarde, tha se dhe pse rreziqet e ekonomisë janë reduktuar, investimet mbeten minimale dhe industria prodhuese po dobësohet.
Ekonomistët europiane thonë se çmimet e produkteve janë rritur më ngadalë muajt e fundit, por ato nuk kanë rënë dhe kjo mund të ndikojë keq në ekonomi.
“Kombinimi i një ekonomie që po dobësohet dhe çmimeve të larta, mund të sjellë edhe rritje edhe ulje të normave të interesit”, thotë Franziska Palmas nga Capital Economics.
Situata duket premtuese në Francë, por pesimiste në Gjermani.
Lojërat olimpike në Francë kanë rritur aktivitetin atje. Një lehtësim për bizneset ishte edhe shmangia e fitores për partitë e ekstremit të djathtë.
Indeksi i Francës, u rrit nga 48.2 në 49.5.
Por në Gjermani indeksi ra nga 50.6 në 48.7, duke dhënë kështu sinjale të kontraktimit të ekonomisë.
Burimi: FinancialTimes, Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



