Analize

Memorandumi i litiumit / Çfarë fshehu Vuçiç nga Scholz, padurimi i Dodik dhe rreziku për konflikte të reja në rajon

"Litiumi serb është shkaktar i mundshëm i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon..."

Nga Gazeta ‘Si’- E përditshmja sarajevase “Slobodna Bosna” ka bërë një hulumtim i cili sipas tyre zbulon qëllimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiç, para dhe pas nënshkrimit të marrëveshjes së rëndësishme me kancelarin gjerman Olaf Scholz, që lidhet me prapaskenën e gërmimit të litiumit nga ana tjetër e Drinës.

Si do të ndikojë rajonin Memorandumi për litiumin?

“Që litiumi serb është një shkak i mundshëm i konflikteve të reja në Serbi dhe rajon, dhe rrjedhimisht edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, e kanë konfirmuar bashkëbiseduesit tanë, por edhe burime afër regjimit të Vuçiçit. Nënshkrimi i memorandumit të mirëkuptimit ndërmjet BE-së dhe Serbisë për partneritetin strategjik për lëndët e para të qëndrueshme, ose shkurt ‘Memorandumi për litiumin’, duhet të shihet nga dy aspekte, ekonomike dhe politike”, thuhet në artikullin e “Slobodna Bosna”.

“Nëse marrëveshja e fundit do të ishte nënshkruar nga përfaqësuesit e Serbisë, politika e të cilës është plotësisht në harmoni me politikën e BE-së, nëse Serbia do të kishte vendosur sanksione ndaj Rusisë, nëse Serbia do të kishte respektuar çdo marrëveshje që ka nënshkruar me Kosovën, do të kishte njohur pavarësinë dhe do të ishte një partner i fortë i Kosovës në rrugën e saj drejt anëtarësimit në OKB dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare, nëse Serbia dhe Kosova do të shkonin së bashku drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, nëse Serbia si një partner i rëndësishëm i BeH-së do të mbronte interesat e saj dhe jo të mbështeste shkëputjen e Republikës Serbe, nëse Serbia do të ishte një partner i fortë i Malit të Zi dhe jo një faktor përçarës i brendshëm që me ndihmën e klanit kriminal të Shkaljarëve mbështet zgjerimin e madh serb me qëllim të shkaktimit të trazirave në Malin e Zi, nëse Serbia nuk do të mbështeste një Kishë Ortodokse Serbe paramilitare dhe nëse Aleksandar Vuçiç nuk do të kishte qenë nënshkrues i memorandumit për litiumin, nuk do të kishte asgjë të diskutueshme dhe unë do të kisha mbështetur fuqishëm nënshkrimin e atij dokumenti dhe nismën ekonomike”, tha ekonomisti serb Boban Bogdanoviç për ‘Slobodna Bosna’.

Është krejtësisht logjike dhe në përputhje me interesat ekonomike të çdo vendi në botë, përfshirë edhe Serbinë, që të kryejë kërkime minerare dhe shfrytëzim të mineraleve në përputhje me kushtet më të sigurta dhe më moderne ekologjike. Megjithatë, që nga fillimi i ardhjes së kompanisë Rio Tinto në Serbi, që nga viti 2001, ka nisur korrupsioni më i madh sistematik i regjistruar deri më tani në botë, thekson për “Slobodna Bosna” ai.

Gërmimi i litiumit, Serbi

Bogdanoviç, i cili për pak shpëtoi nga likuidimi i shërbimeve të regjimit dhe më pas mori azil në një nga vendet evropiane, nga një vend sekret për “Slobodna Bosna” foli për qëllimet e Vuçiçit dhe regjimit të tij, si dhe për nënshkrimin e marrëveshjes me Scholz-in.

Çfarë garanacish i janë dhënë Vuçiçit?

“Rio Tinto priti me durim ardhjen në pushtet të Aleksandar Vuçiçit në mënyrë që përveç të drejtës hetimore, të siguronte edhe të drejtën e shfrytëzimit për gërmimin e litiumit, pa e kryer kurrë më parë këtë veprimtari. Pak kush e di këtë që do të them tani, mbështetjen kyçe në realizimin e korrupsionit sistematik të kryesuar nga Aleksandar Vuçiç, në vitin 2017 e dhanë: Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin. Siç dihet, pjesën më të madhe në Rio Tinto e kanë kinezët me një pjesë të kapitalit rus”, tha Bogdanoviç.

“Fragmentet e opozitës po udhëhiqen nga ide dhe slogane populiste dhe askush nuk ka marrë përgjegjësinë të angazhohet që nëse do të ndodhë gërmimi i litiumit, do të japin dorëheqje dhe do të tërhiqen nga jeta publike. Sa i përket opozitës që identifikohen si euroatlantistë, kemi vetëm disa politikanë që janë shumë të rezervuar ndaj gjithçkaje, gjë që është shumë mirë. Ata konsiderojnë, ashtu si edhe unë, që litiumi është një mundësi zhvillimi për Serbinë, por që nuk duhet të bazohet në atë që bazohet tani”, tha Bogdanoviç.

Kancelari gjerman dhe presidenti Vuçiç

Sipas tij shkaku për nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit ishte pikërisht garancia që iu dha Vuçiçit.

“Trump i premtoi Vuçiçit ndarjen e Kosovës dhe mos ndërhyrjen e Amerikës në çështjet e brendshme të Serbisë, si dhe mbështetjen e plotë për Milorad Dodik dhe për të rrëzuar Milo Gjukanoviçin në vitin 2020 në Malin e Zi.

Në këmbim, Vuçiç u zotua që Rio Tinto do të merrte të drejtën e shfrytëzimit të litiumit dhe që dhëndrit të Donald Trump, Jared Kushner, do t’i mundësohej ndërtimi i hoteleve në vendin e shtabit të përgjithshëm të ish-ushtrisë jugosllave.

Gjithashtu, Vuçiç u zotua që do të lejonte miliarderin Elon Musk të hapte fabrikat e tij në Serbi për prodhimin e baterive të litiumit. Për të sjellë fakte, e provon vetë Milorad Dodik, i cili nuk mundi të përmbahej deri në fund të gjithë lojës pa deklaruar dëshirën e tij për një takim me Elon Musk, pasi të gjithë janë pothuajse të sigurt për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Amerikë.

Ashtu si miliona qytetarë të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe unë mes të gjithëve, e urrej Aleksandar Vuçiçin dhe veprimtarinë e tij politike që nga viti 1993 e deri më sot, e cila ka marrë dhjetëra mijëra jetë në të gjithë ish-Jugosllavinë.

Të gjithë e dimë mirë se kush është Aleksandar Vuçiç dhe në vend që si patriot serb dhe euroatlantist të mbështes nënshkrimin e memorandumit për litiumin, për shkak të paqes në rajon, nuk mund ta bëj këtë pikërisht për të gjitha pikat e përmendura në fillim të intervistës sonë. Ata që besojnë ende në Vuçiçin, dhe nuk janë pjesë e trupit të tij politik, shpresojnë se ky memorandum do ta mbrojë Serbinë nga një katastrofë ekologjike dhe se pikërisht ky memorandum është një garanci që Rio Tinto nuk mund të marrë të drejtën e shfrytëzimit, sepse ligjet e rrepta të BE-së e mbrojnë këtë. Madje edhe unë isha i prirur që fillimisht të besoja në partneritetin e sinqertë të BE-së dhe në një përfundim të tillë, por duke njohur Vuçiçin dhe të gjitha dobësitë e kancelarit Scholz, jam i sigurt se nga kjo nuk do të dalë asgjë”, tha  mandej Bogdanoviç.

“Scholz i ka dhënë Putinit kontroll të plotë mbi Serbinë dhe mundësinë për të copëtuar Europën”

Bogdanoviç përmendi dobësitë e kancelarit Scholz dhe politikës së jashtme gjermane ndaj Serbisë.

“Me nënshkrimin e memorandumit për litiumin, kancelari Scholz ka hequr dorë nga strategjia e diplomacisë gjermane të udhëhequr nga ministrja e Jashtme Annalena Baerbock, e cila para së gjithash insistonte në sundimin e ligjit dhe përmbushjen e standardeve të BE-së në Serbi. Deputetët gjermanë të Bundestagut dhe politikanët kryesorë në Gjermani, si dhe shumë prej nesh në rajon, janë të shqetësuar për mbështetjen e heshtur të Scholz-it ndaj politikës nacionaliste revizioniste të Aleksandar Vuçiçit sepse është gjithashtu mbështetje për deklaratën e kuvendit gjithë-serb dhe doktrinës naziste ‘Bota Serbe’.

Fatkeqësisht, kancelari Scholz nuk e sheh ose nuk dëshiron ta shohë se si mbështetja e tij po çon rajonin tonë drejt destabilizimit. Me nënshkrimin e memorandumit për litiumin, kancelari Scholz duket se i ka dhënë Putinit kontrollin e plotë mbi Serbinë dhe mundësinë që Putini të dobësojë dhe ndajë Europën”, ka shtuar ai.

Vuçiç dhe Dodik duan të krijojnë Botën Serbe

Sipas “Slobodna Bosna” Vuçiç ka mësuar nga Putini një leksion shumë të rëndësishëm, se është e mundur të joshësh kundërshtarët dhe t’i bësh ata të varur nga vetja.

“Vuçiç, jam i sigurt, do ta përdorë këtë fuqi ekonomike mbi Gjermaninë për të shtyrë me sukses interesat e projektit kleronacionalist ‘Bota Serbe’, dhe e gjithë Europa do të shikojë përshkallëzimin e konfliktit dhe unë që sot frikësohem nga shpërthimi i mundshëm i një luftë civile në Serbi”, tha ai.

Ai paralajmëron gjithashtu se regjimi i Vuçiçit po kërcënon të përdorë forcën kundër qytetarëve të Serbisë dhe se ai ka informacione se më shumë se një milion qytetarë serbë janë të gatshëm të mbrojnë malet Cer dhe luginën e Jadrës me armët dhe jetën e tyre.

“Qytetarët e Serbisë sigurisht që nuk e dëshirojnë zbatimin e këtij memorandumi dhe jam i sigurt se as shumica e qytetarëve të BE-së, e të mos përmend edhe popujt e ish-Jugosllavisë. Scholz me vetëdije abuzoi me pozitën e tij si kancelar dhe bëri një gabim të madh me këtë mbështetje për Vuçiçin, të njëjtin gabim si BE-ja dikur me Putinin.

Kam frikë se me nënshkrimin e memorandumit për litiumin është shpërdoruar mundësia për zgjidhje përfundimtare dhe ndërprerjen e të gjitha konflikteve në Ballkan, veçanërisht në BeH, Kosovë dhe Mal të Zi. Flakadani i Vuçiçit për fat të keq po digjet dhe së shpejti ai zjarr mund të bëhet një element i zjarrtë që do të përpijë shumë jetë.

Scholz ka treguar dhe vërtetuar se nuk ka karakter dhe politika e tij e paaftësisë do të shkatërrojë gjithçka që u ndërtua në BE pas vitit 1945, që është mbi të gjitha paqe, liri dhe demokraci në BE. Ky memorandum për litiumin paraqet një kërcënim të madh për të gjithë ne”, tha në fund Bogdanoviç për ‘Slobodna Bosna’.

Burimi: Slobodna Bosna /Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë