Ka ndodhur

Durrës/ Të shtëna me armë zjarri, një person i plagosur

Nga Gazeta Si- Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në ‘Lagjen 17’, në Durrës, pranë Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve, pasditen e sotme.

Sipas informacioneve paraprake, mësohet se një 31 vjeçar ka qëlluar një 70- vjeçar, i cili më pas është dërguar në spital.

Policia ka arrestuar 31 vjeçarin në flagrancë, ndërsa po punon për zbardhjen e ngjarjes.

“Dyshohet pas një konflikti të çastit në një lokal në lagjen nr.17, një 31-vjeçar ka plagosur një të moshuar. Autori i dyshuar kapet në tentativë për t’u larguar dhe shoqërohet në Polici”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.

Policia gjeti në brendësi të lokalit  ku ndodhi ngjarja dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë.

Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar dhe një shtetas tjetër, konkretisht shtetasin  A.T, 56 vjeç, që ishte bashkë me autorin e dyshuar të ngjarjes në  momentin kur ka ndodhur ngjarja.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë