Libra

E vërteta mbi procesin Andreoti: Vjen në shqip libri që përshkruan raportet ‘Politikë-Mafia-Drejtësi’

Nga Gazeta Si - Para pak ditësh doli në qarkullim libri “E vërteta mbi procesin Andreoti”, shkruar nga prokurorët Xhankarlo Kazeli e Guido Lo Forte dhe botuar në Itali nga “Editori GLF Laterza”.

Është një libër (historik-dokument) mjaft interesant, mjaft aktual, që përshkohet nga raportet Politika-Mafia-Drejtësia, përkthyer nga ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë, Zamir Poda dhe sjellë për lexuesin shqiptar nga “Shtëpia Botuese Mediaprint”.

Libri bën fjalë rreth procesit hetimor dhe gjyqësor kundër Xhulio Andreotit, i akuzuar si mafie. Nuk bëhet fjalë për një të pandehur “dosido”, por as më shumë dhe as më pak, por si dikush i konsideruar si politikani më i shquar dhe me më shumë funksione në qeveritë italiane të pas Luftës së dytë Botërore. 7 herë kryeministër dhe 34 herë ministër, deputet në të gjitha legjislaturat dhe në fund senator i përjetshëm.

Moment mjaft interesant e kurioz është se autorët e librit janë Xhankarlo Kazeli dhe Guido Lo Forte, pikërisht dy prokurorët që hetuan procesin, ndër më të shquarit në hetimet kundër Koza Nostras siçiliane.

Përse akuzohej Xhulio Andreoti? Në 27 mars 1993, Prokuroria e Palermos e drejtuar nga autori i këtij libri, Xhankarlo Kazeli, nisur nga deklarimet e disa të penduarve të Koza Nostras, mafies siçiliane (që të kryqëzuara, konfirmonin njëra-tjetrën), sipas të cilave, Andreoti kishte favorizuar në vazhdimësi organizatën, kërkoi leje në Senatin italian për të nisur procedimin penal ndaj tij. Leje e cila u dha, u hetua nga prokuroria e Palermos dhe çështja u dërgua për gjykim. U shpall i pafajshëm në shkallën e parë nga Gjykata e Palermos, me vendimin datë 23 tetor 1999. Gjykata e Apelit të Palermos, me vendimin datë 2 maj 2003, e deklaroi të kryer, deri në pranverën e vitit 1980, krimin për të cilin akuzohej i pandehuri, por të parashkruar, ndërsa pas këtij viti, e konsideroi akuzën të paprovuar, duke dhënë përfundimisht pafajësi. Vendimi i Gjykatës së Apelit u la në fuqi nga Gjykata e Kasacionit me vendimin datë 15 tetor 2004.

Lidhur me vendimin përfundimtar, Andreoti, e djathta italiane dhe mediat e lidhura me të shkruanin: “Pafajësi! Ishte një proces politik. Andreoti u persekutua...”

Prokuroria e Palermos dhe konkretisht dy prokurorët Kazeli dhe Lo Forte thanë se “Edhe në një vend me pak vëmendje të kujdesshme, do të vërehej të paktën kontradikta logjike (jo vetëm tekniko-juridike) ndërmjet “pafajësisë” dhe “krimit të kryer”.

“Pafajësi se ka kryer krimin? Një farë pohim-mohimi. Një fyerje ndaj ndjeshmërisë për të drejtën. Por që nga ana tjetër, pati një aktivitet masiv e shumë efektiv manipulimi dhe informimi ndaj një pjese të mirë të italianëve që, edhe sot, të besojnë se Andreoti ka qenë tërësisht dhe lumturisht i pafajshëm”.

Krahas historikut të këtij procesi hetimor e gjyqësor, autorët kanë përshkruar me hollësi se gjatë gjithë periudhës së hetimeve, por më pas edhe gjykimit të çështjes, kanë përjetuar një fushatë të egër sulmesh, fyerjesh, shpifjesh nga ana e krahut politik që mbështeste Andreotin. Po ashtu, në libër, në tërësinë e tij, ndërthuren raportet Mafia-Politika, Mafia-Administrata Publike, Mafia-Masoneria, Magjistratura-Politika, Magjistratura-Mediat...

Në qendër të botimit është një frazë që nënvizojnë autorët Kazeli e Lo Forte: Ju rrëzuan akuzat e Xhulio Andreotit për bashkëpunim me Koza Nostran? Edhe sot e kësaj dite shumëkush e beson këtë”. Dhe ky libër shpjegon se si kanë rrjedhur në të vërtetë ngjarjet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë