Rend dhe Ligj

Kërkoi lirimin nga burgu, shtyhet seanca me video nga qelia (për arsye sigurie) për Dritan Dajtin

Gazeta Si – Në një lidhje video nga qelia për arsye sigurie, seanca ndaj Dritan Dajtit u shty për në 23 korrik pas kërkesës së të pandehurit për të depozituar provat e tij para gjykatës dhe për të marrë në shqyrtim provat e depozituara tashmë nga prokuroria.

Në seancën e sotme, Dajti kërkoi konstatimin e kryerjes së dënimit të dhënë nga Gjykata e Apelit, e cila e dënoi me 25 vite burg, dënim të cilin pala mbrojtëse thotë që e ka mbaruar në 4 korrik.

Dritan Dajti nuk u shoqërua në ambientet e Gjykatës së Elbasanit pas një vendimi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për arsye sigurie. Gjykata realizoi lidhjen audio dhe video me burgun e Peqinit për të garantuar seancën.

Dritan Dajti: Kam marrë njoftime të njëpasnjëshme nga gjykata për zhvillimin e kësaj seance. Asnjë njoftim i ngjashëm me të parin. Gjykata herë më thërret dhe herë kërkon videokonferencë. Gjykata të tregojë korrektësi në njoftimet e saj dhe unë të kem drejtësinë e munguar. Gjykata ka marrë parasysh urdhrin e drejtorisë së përgjithshme të burgjeve edhe pse ky institucion nuk është palë në këtë proces. Ligji parashikon pjesëmarrje e palës mbrojtëse, prokurorit dhe palës se interesuar (pra unë). Nëse ju nuk me pranoni në gjykate, në të ardhmen prokurorit i lind e drejta ta cilësojë procesin e pavlefshëm. Kërkoj mendimin e prokurorit te deklaruar. Pranon prokurori këtë mënyrë gjykimi qe keni vendosur ju, pa praninë time? Jam unë personi i interesuar për zhvillimin e kësaj seance.

Avokatët: Kërkojmë pjesëmarrjen në gjykatë të IEVP Peqin, sepse po mban peng Dritan Dajtin.

Ndërkohë gjykata ka vendosur të vijojë gjykimin pa praninë e IEVP Peqin.

Dritan Dajti: Po mbahem padrejtësisht në burg. I jemi drejtuar gjykatës pasi Ievp nuk zbaton vendimin për mbarimin e gjykimit.  Vendimi 1108 datë 11.05.2020 i gjykatës së Elbasanit (i konfirmuar nga gjykata e Apelit) për dënimin tim ka qenë i formës së prerë dhe ka përfunduar në 4 korrik 2024. Ky vendim nuk është ankimuar asnjëherë nga asnjë pale. IEVP Peqin nuk i kthen asnjë përgjigje kërkesave të mia apo të avokatëve për konstatimin e kryerjes së vuajtjes së dënimit.

Byroja për mbrojtjen e të burgosurve ka paditur penalisht drejtorin e IEVP Peqin për “shpërdorim detyre” dhe “mbajtjen e padrejtë të dënuarit në burg”.

Drejtoria e Burgjeve refuzoi sot për të dytën ditë me radhë shoqërimin e tij, pasi ka dyshime dhe informacione se Dritan Dajti, mund të arratiset.

Për këtë shkak edhe seanca e sotme në gjykatën e Elbasanit u zhvillua me video konferencë nga ambientet e burgut të Peqinit.

Ndërkohë, avokati i tij është shprehur se mos realizimi i prezencës fizike të Dajtit në seancë, është jo normale, pasi aktualisht janë 3800 policë burgjesh dhe 6 mijë policë rendi në Shqipëri.

Pak ditë më parë Gjykata e Lartë vendosi rikthimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, i cili më herët kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar duke u dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në vitin 2009.

Dritan Dajti ishte në prag të lirimit nga qelia, por Prokuroria në mars 2019 ankimoi vendimin e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila vendosi pranimin e kërkesës për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit dhe duke ulur dënimin e tij 25 vite burg.

Përmes avokatit, Dajti ka drejtuar një kërkesë Gjykatës së Elbasanit, ku pretendon se dënimi i tij me 25 vite burg është kryer dhe se institucioni i vuajtjes së dënimit duhet të niste procedurën e lirimit të tij.

Por, sipas vendimit, Dritan Dajti do të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë, ku është gjetur fajtor për vrasjen e policëve Kastriot Feskaj, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari dhe Fatos Xhani, më 7 gusht të vitit 2009 në Durrës, gjatë një operacioni për arrestimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë