Drejtësia

Vrasja e 4 policëve në Durrës, Gjykata e Lartë rikthen burgun përjetë për Dritan Dajtin

Gazeta Si - Gjykata e Lartë ka vendosur të rikthejë dënimin me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin për vrasjen e 4 punonjësve të policisë në vitin 2009 në zonën e plazhit “Iliria” në Durrës.

Trupa gjykuese e përbërë nga Ilir Panda kryesues dhe anëtarë Sandër Simoni dhe Artur Kalaja, vendosën të pranojnë rekursin e ish-Prokurorisë për Krime të Rënda që kundërshtoi vendimin e Apelit, i cili e dënoi Dajtin me 25 vite burg.

“Prishjen e vendimit nr.13, date 08.02.2019 të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda dhe lënien në fuqi të vendimit nr.95, datë 23.07.2014 të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda”, - thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.

Prokuroria kërkonte të lihej në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, teksa në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda pranoi kërkesën e Dajtit për gjykim të shkurtuar duke caktuar ndaj këtij të fundit 25 vite burg.

Në 7 gusht 2009 në lagjen nr.13 në zonën e plazhit “Iliria”, Durrës, mbetën të vrarë punonjësit e Grupit të Operacioneve Speciale në Policinë e Shtetit: Fatos Xhani, 48 vjeç, Altin Dizdari, 33 vjeç, Saimir Duçkollari, 32 vjeç dhe Kastriot Fesko, 40 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë një operacioni për arrestimin e tij.

Në atë ngjarje u vra edhe shoku i Dajtit, Ledion Mara, si dhe u plagos një pushues. Në asnjë seancë gjyqësore Dritan Dajti nuk ka pranuar që t’i ketë vrarë katër punonjësit e policisë me qëllim, por ka theksuar se në përleshjen e asaj dite është vetëmbrojtur, duke menduar se ata nuk ishin policë, por kundërshtarë të tij.

Historia e Dritan Dajtit me drejtësinë shqiptare e ka zanafillën dy dekada më parë. Ai u dënua fillimisht me 20 vjet heqje lirie nga Gjykata e Shkallës së Parë së Tiranës për veprën penale të vrasjes së biznesmenit Agim Beqa, në vitin 1999.

Viktima kishte nisur ndërtimin e një pallati, por ai ishte konfliktuar me disa persona. Ditën kur do niste gjyqi ndaj tjj, Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit të Gjykatës së Tiranës më 17 nëntor 2003, i ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë.

Ai mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër.

Dajti hipi në një motor, që drejtohej nga një person tjetër dhe u largua ndërkohë që një person tjetër ende i paidentifikuar, qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë