Politike

PD kërkon zgjatjen e mandatit të komisionit hetimor për TIMS, Salianji: Kanë dalë të dhëna të llahtarshme

Partia Demokratike kërkon zgjatjen e hetimit për komisionin hetimor të TIMS. Në mbledhjen e të hënës, u mor dëshmia e fundit e Dorian Tolës, ish-drejtor i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar.

Pas marrjes së kësaj dëshmie, ishte deputeti i PD, Asllan Dogjani që kërkoi zgjatjen e afateve të hetimit, duke thënë se nuk i kanë shkuar deri në fund dhe se sipas tij duhet të vijë të dëshmojë edhe Kryeministri Rama.

Të njëjtën kërkesë e përsëriti edhe kryetari i komisionit, Ervin Salianji, i cili u shpreh se nga dëshmitë kanë dalë të dhëna të llahtarshme dhe duhet të hetohen edhe persona të tjerë. 

“Ta zgjasim afatin e hetimit dhe të na jepet mundësia për të thirrur Ramën, të vijë të na tregojë për deklaratat publike që ka bërë lidhur me ndërhyrjen në TIMS, ish ministrin e brendshëm, por ka edhe shumë dëshmitarë të tjerë që nga hetimi na ka rezultuar se ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Ne kemi kërkuar të hetojmë jo vetëm 2 gushtin, por edhe raste të tjera kur janë bërë publike të dhënat e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të ndalohemi dhe ta mbyllim këtu hetimin në një kohë që problemet që kanë dalë janë shumë të mëdha dhe fakti që në vendin tonë asnjë nuk është i sigurt”, tha Dogjani. Edhe Salianji kishte të njëjtën kërkesë.

“Kanë dalë të dhëna të llahtarshme që duhen të hetohen dhe persona që s’duhet të shmangen nga hetimi që ju ka dalë emri gjatë dëshmive. Dëshmitë e zyrtarëve të lartë kanë qenë kontradiktore, për këtë arsye duhej të kishim thirrjen e dëshmitarëve të tjerë”, tha ai.

Në mbledhjen e radhës pritet të vendoset për këtë kërkesë. Në të kundërt, në Kuvend do të shkohet me dy raporte për hetimin


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë