Politike

Komisioni Rregullator nuk kaloi afatet për zgjedhjet në Himarë, PS e padit në Administrative

Partia Socialiste ka paditur në Gjykatën Administrative të Tiranës, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, pasi pak ditë më parë Komisioni Rregullator në KQZ nuk miratoi disa afate proceduriale për zgjedhjet e pjesshme në Himarë që do mbahen më 4 gusht.

Me anë të një njoftimi, Gjykata thotë sot do të hidhet shorti për të përcaktuar trupën gjykuese që do të shqyrtojë padinë.

Objekti i ankimit është “Kundërshtim ndaj mosmarrjes vendim nga Komisioni Regullator në KQZ, “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë, që do të zhvillohen më datë 4 gusht 2024”.

PS i kërkon Gjykatës Administrative që të detyrojë Komisionin Rregullator në KQZ për të marrë menjëherë vendim “Për miratimin e disa afateve proceduriale që lidhen me zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë.

Projektvendimi i miratuar nga komisioneri shtetëror i zgjedhjeve nuk mori numrin e kërkuar të votave për t’u konsideruar i miratuar” (3 prej anëtarëve të Komisionit Regullator kanë votuar pro dhe 2 anëtarë kanë votuar kundër). Për të kaluar, duhet që komisioni Rregullator të votojë 4 me 1.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë