Në orën 06.30 të mëngjesit të kësaj të hëne Alfred Beleri, me leje të Drejtorisë së Burgjeve, ka lënë qelinë në burgun e Fierit për t’u nisur drejt Parlamentit Europian ku do të bëjë betimin si eurodeputet.
Ai është pritur nga një mjet me targa diplomatike greke, dhe nga familjarë e mbështetës të tij. Për mediat greke ai tha se i falënderon për mbështetjen e dhënë dhe se të tjerat do t’i thotë në Athinë
“Po iki drejt Athinës për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të PE në Strasburg. Nesër atje ka vendime të rëndësishme. Besoj se që këtej e tutje do ti kthehem normalitetit. Për mua ka pasur dy standarde nga ana e drejtësisë dhe vazhdojnë akoma" tha ai.
Një ditë më parë, drejtoria e Burgjeve i dha leje pesë ditore për të udhëtuar drejt Strasburgut për t’u betuar si eurodeputet i zgjedhur nga radhët e partisë Demokracia e Re në Greqi.
Beleri kishte disa ditë që kishte kërkuar leje për të dalë nga qelia, por vetëm këtë të diel komisioni në Drejtorinë e Burgjeve është bindur për të miratuar kërkesën e tij.
Beleri ndodhet në qeli prej majit të vitit të shkuar, kur u arrestua për blerje votash. Tashmë ish-kryetari i zgjedhur i Bashkisë Himarë humbi mandatin pas vendimit të KQZ dhe vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që e dënoi me 2 vite heqje lirie. Nga qelia Beleri arriti që të merrte dhe mandatin si eurodeputet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.