Politike

Tirana zyrtare dënon atentatin ndaj Trump! Begaj: Akte të tilla s’kanë vend në demokraci! Rama: Tragjedi për botën demokratike

Presidenti Bajram Begaj ka dënuar sulmin me armë ndaj Donald Trump. Në një reagim në rrjetet sociale, Begaj thotë se akte të tilla nuk kanë vend në demokraci.

“I pikëlluar kur mësova për atentatin ndaj Presidentit Donald Trump. I uroj Presidentit Trump një shërim të shpejtë dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të thella për humbjen e një jete të pafajshme. Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm dhe të gjitha format e dhunës politike, të cilat nuk kanë vend në demokraci.’- shkruan Begaj.

Edhe kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin me armë ndaj Donald Trump.

“Është shqetësuese të dëshmosh që një kandidat për President të Shteteve të Bashkuara të qëllohet duke folur në një tubim dhe të dëgjosh se një pjesëmarrës ka vdekur me disa të tjerë të plagosur. Kjo është një tragjedi për botën demokratike. Mendimet e mia janë me ish-presidentin Trump dhe familjen e tij. Ne të gjithë shpresojmë se kjo ngjarje e tmerrshme do të bashkojë Amerikën dhe të gjithë njerëzit e botës demokratike kundër të gjitha formave të dhunës”, shkruan Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për atentatin ndaj kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump.
Berisha shkruan se, i uron shërim të shpejtë Trump, dhe shpreh solidaritetin e tij dhe të PD për familjen e Trump dhe republikanët.
“Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të urryer kriminal ndaj Presidentit Donald Trump si një akt me të cilin kërkohet që me atentat, vrasje politike në fushatë elektorale të përcaktojnë e të mposhtin vullnetin e lirë të qytetarëve të SHBA. Me këtë rast i shpreh Presidentit Trump dhe familjes së tij dhe Partisë Republikane, solidaritetin tim më të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe lutem për shërim të shpejtë dhe të plotë të tij. Uroj që kushdo që mund të jetë i implikuar në akt të urryer terrorist të gjendet dhe marrë ndëshkimin më të rreptë ligjor, shkruan Berisha.

Edhe Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka dënuar sulmin me armë ndaj ish-presidentit të SHBA-ve Donald Trump. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Meta thotë se bashkohet lutjeve për familjet që humbën të dashurit dhe për shërimin sa më të shpejtë të Presidentit Trump.
“… Presidenti Trump… mori një plumb për shkak të ideve dhe vizionit të tij për të bërë Amerikën sërish të Madhe. Shpreh solidaritetin e plotë me Presidentin Trump, të cilit i uroj sa më parë të rikthehet edhe më i fortë në betejën e tij të pandalshme për mbrojtjen e vlerave të SHBA dhe kombit mik amerikan!”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë