Nga Gazeta ‘SI’ – Autoriteti i Konkurrencës ka vënë një gjobë të rëndë, për kompaninë e prodhimit të çimentos Antea Cement.
Sipas Konkurrencës, Antea ka kryer shkelje të rënda ligjore duke abuzuar me pozitën dominuese në treg dhe e ka gjobitur me rreth 1 milionë euro, 977 mijë euro.
Vendimi për gjobën ka ardhur pas një hetimi të thelluar disa vjeçar mbi sjelljen e kësaj kompanie në treg. Inspektorët e konkurrëncës thonë se tregu i prodhimit të çimentos në vend është në kushtet e oligopolit dhe Antea Cement shfaqet si ndërmarrja lider e tij, pasi ka peshën më të madhe të këtij tregu.
“Ndërmarrja Antea Cement Albania SHA aplikon çmime eksesive të cilat nuk kanë lidhje të arsyeshme me vlerën ekonomike të produktit, pasi ka diferencë të konsiderueshme midis çmimit mesatar mujor të shitjes sipas tipeve të çimentos dhe kostos mesatare mujore të prodhimit të çimentos,” konstaton hetimi i Konkurrencës.
Sipas hetimit, kompania ka rritur çmimet mesatare të shitjes në periudha kur kostot e saj janë ulur duke shfrytëzuar fuqinë e madhe që ka në treg. Por shkelja më flagrante e ligjit nga kjo ndërmarrje sipas hetimit, rezulton diskriminimi i çmimeve.
“Ndërmarrja Antea Cement SHA ka aplikuar çmim më të ulët për një ndërmarrje kliente të saj në raport me klientët e tjerë, për periudhën nën hetim; ndërkohë për një ndërmarrje tjetër ka vendosur në mënyrë të njëanshme kushte të padrejta dhe të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me klientët e saj duke i vendosur ato në kushte të pafavorshme konkurrence,” thuhet në vendim.
Diskriminim i çmimeve nga ndërmarrjet që kanë fuqi të madhe në treg konsiderohet një shkelje e rëndë e ligjit të konkurrencës. Kjo pasi ndërmarrja vendos klientët e saj në kushte të pabarabarta. Për këtë arsye ligji parashikon dënimin me gjobë në rastet e shkeljeve të kësaj natyre.
“Komisioni i Konkurrencs vendosi konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjes ANTEA CEMENT SHA në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos gri. Paralelisht Komisioni vendosi gjobitjen e kësaj ndërmarrje për shkelje të rëndë të konkurrencës në shumën 97,7 milionë lekë,” thuhet në vendim.
Ndërkohë Komisioni ka vendosur gjithashtu monitorimin për 1 vit të sjelljes së kësaj kompanie në treg.
Antea Cement zotërohet 100 për qind nga Alvacim Limited, një kompani e regjistruar në Qipro. Në vitin 2022, Antea Cement regjistroi një xhiro prej 122 milionë eurosh dhe fitim në masën 18 milionë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




