Drejtësia

Vrasja e ish-drejtorit të OST në 2016 në Rrëshen, dënohet me burg përjetë vrasësi me pagesë, Dorjan Keqi

Gazeta Si – Gjykata e Lezhës ka dënuar me burgim të përjetshëm vrasësin me pagesë Dorjan Keqi, i cili ishte nën akuzë si bashkëpunëtor në vrasjen e ish-drejtorit të Tensionit të Lartë për Veriun, Saimir Jaku, ngjarje e ndodhur në vitin 2016 në Rrëshen.

42-vjeçari nga Kruja me banim në Kurbin, u gjet fajtor për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Keqi ka mohuar në vazhdimësi të ketë lidhje me krimin, duke refuzuar që të bëhet dhe bashkëpunëtor i drejtësisë në këmbim të lehtësimit të pozitave penale. Gjithsesi, mësohet se hetimet nuk kanë zbuluar financuesin e këtij atentati.

42-vjeçari u arrestua në shtator të vitit 2022, pasi u kap duke drejtuar mjetin pa patente dhe në gjendje të dehur.

Nga shenjat e gishtërinjve u zbulua se ai ka marrë pjesë në vrasjen e Saimir Jakut, në bashkëpunim edhe me persona të tjera të cilat nuk janë arritur ende të identifikohen.

Pasi iu morën shenjat e gishtërinjve, rezultoi se gjurmët e tij ishin gjetur në bidonin me benzinë që u përdor nga autorët për djegien e makinës që u përdor ditën e krimit në Rrëshen.

Saimir Jaku, 33 vjeç, ish-Drejtor i Tensionit të Lartë për zonën e veriut, u vra me armë zjarri më 9 shtator 2016.

Kanë qenë dy persona të maskuar, të cilët kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj Jakut, i cili qëndronte në ambientin e jashtëm të një lokali në qytetin e Rrëshenit, vetëm 20 metra larg komisariatit të policisë.

Menjëherë pas krimit, autorët janë larguar nga vendngjarja me një mjet që ishte parkuar jo larg lokalit ku u krye edhe ekzekutimi.

Jaku ishte shkarkuar nga detyra vetëm një javë më parë nga ekzekutimit me armë zjarri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë