Politike

Opozita mbyll protestën para kryeministrisë dhe Bashkisë. Meta sulmon Dumanin dhe njerëz të opozitës. Berisha -Ramës: Prano qeveri teknike (foto e video)

Opozita protestoi ne Bulevardin "Deshmoret e Kombit". Mbështetësit demokratë nga gjithë rrethet u mblodhen para Kryeministrisë ku në sloganin 'Të bashkuar në betejë, opozita në aksion'  kërkuan krijimin e një qeverie teknike dhe lirimin e Sali Berishës. Thirrja kryesore eshte "Rama ik"

Protestës iu bashkua edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Regjisori Edmond Budina ishte i pari që hapi protestën.

Ai bëri thirrje që këto protesta të radikalizohen, ndërsa u shpreh se drejtësia fut në burg ca cironka, por peshkaqenët vazhdojnë të pasurohen.

Budina hodhi idenë edhe të grevës, pasi sipas tij Rama nuk largohet, por duhet ta heqin qytetarët. “Protesta po, mosbindje civile po, greva po, po qe nevojë të mos shkulemi që këtu deri në një qeveri teknike pa Edi Ramën”, u shpreh Budina.

Në protestë foli mjeku Erion Dasho i cili tha se në shëndetësi janë bërë vjedhje dhe krime të mëdha.

"I keni ditët të numëruara. Është çështje muajsh që ti Edi Rama të japësh llogari për çdo dëm që u kë bërë shqiptarëve. Kurrë nuk janë qeverisur shqiptarët nga një bandë krimi. Në shëndetësi shihen vjedhjet dhe krimet që janë bërë. Sistemi shëndetësor vuan nga ata të cilët janë drejtuar. Spitalet drejtohen nga një rrjet patronazhistësh. Nuk mund të ndërtohet një sistem i drejtë shëndetësor nëse nuk japin llogari për vjedhjet dhe të ndëshkohen hajdutët", tha Dasho.

Pas disa qytetarëve, fjalën e mori Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Ky i fundit ka qënë i ashpër jo vetëm me kryeministrin Edi Rama, por edhe me kreun e SPAK, Altin Dumanin dhe rane në sy kritikat e tij ndaj njerëzve të opozitës, që sipas tij ka nga ata që kanë frikë mos arrestohen nga SPAK.

"Turp për të gjitha ata këshilltare opozitar që nuk janë me Tedi Blushin, me Klevis Balliun përballë kryehajdutit të Tiranës. Turp për ata që nuk janë përball hajdutëve në bashki. Turp për ata opozitar që kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut.

Turp për çdo opozitar që i bën furçë SPAK, ose ka ndonjë hall me SPAK, ose ka në hall se nuk i japin vizën për të shkuar gjëkundi", tha Meta.

“Është koha të ngrihemi, tha Meta, dhe ti tregojmë ndërkombëtarëve se jemi popull me dinjiteti dhe nuk e ha presionin për të mbajtur një kriminel këtu (Ramën)”.

“Të gjithë duhet të dijmë që Rama mbështet financohet në Uashington në Bruksel nga armiqtë më të egër të Shqipërisë që të rijë këtu për t’i ngulur thika Kosovës që nga Ballkani i Hapur. Ai nuk bën gabime rastësisht. Mos harroni çFarë tha në Kuvendin e Kosovës në ceremoni e 10 vjetorit. Shikonte që Shqipëria e Kosova të kishte një president të përbashkët. A nuk ishte ky si kryeministër që hodhi në gjyq kryeministrin e Kosovës në detyrë në atë kohë Haradinajn. A nuk ishte ky i vuri sanksione Kurtit përpara se t’ia vinin të tjerët.

A nuk ishte ky horr që i bënte presion Kosovës. A ka ndonjë njohje Kosova sa ka qenë ky? A e dini ju që Maqedonia eksporton 57% të PDBB, ne eksportojmë 8 % më pak se para 10 vitesh. Ky me narko kullat e tij i ka vënë kazmën bujqësisë me qëllim, kazmën prodhimit vendas, po falimenton fabrikat. Ndaj është koha të ngrihemi. Dëgjova për ndërkombëtarët. Siç ka dhe McGonigal ka dhe nga ata që e arrestojnë. Ata që mbështesnin diktatorin Marcos i thanë merr helikopterin dhe ik. Mos harrojmë si e paketuan Noriegën.

Ti tregojmë ndërkombëtarëve që jemi me dinjitet, nuk e hamë presionin. Një pensionist shqiptar në Velipojë merr sa 1/3 e pensionistit në Mal të Zi. Po e mbyll me regjimin e DumDumanit. Dëgjoj që thonë: uu e arrestuan Ilir Beqaj, uu edhe Artan Lame, DumDumani është 4 vjet me vonesë që nuk ka arrestuar Ramën, me vetëdije ka firmosur 17 vendime qeverie. E zeza mbi të bardhë. Kanë qenë ministra që i kanë kundërshtuar këto vendime”, tha Meta.

Me tej ai vijoi: “Inceneratorë nuk ka. Gjithë shteti është 5D. Erion Veliaj është me 4 vjet vonesë që nuk është në burg. Boll. Ka vjedhur publikisht e zeza në të bardhë. Ka futur në borxh gjithë Tiranën dhe gjithë qarkun. DumDumani thotë nuk e bllokoj kam hallin e arbitrazhit. Kur ke hallin e arbitrazhit o DumDuman pse nuk arreston Ramën dhe Veliajn. Pse nuk e ka hallin e arbitrazhit Rama që me aferën e Portit të Durrësit ka çuar në arbitrazh gjithë ato kompani gjermane. Ka ardhur koha ti paguaj të gjitha Rama. Të bashkuar të vendosemi në një rrugë pa kthim' 

Sali Berisha më pas foli përmes një video-mesazhi në pamundësi për të qënë fizikisht në protest. Berisha ndodhet ne arrest shtëpie prej muajit dhjetor te vitit të kaluar. Ndryshe nga Meta, Berisha nuk foli per Altin Dumanin. Ra në sy se gjatë fjalës së tij të rregjistruar protestuesit hodhën molotiov drejt kryeministrisë. Berisha nga ana e tij mesazhin e drejtpërdrejt e kishte per Edi Ramën duke i kërkuar që ky i fundit të largohet dhe të pranojë qeveri teknike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Asnjë shqiptar përveç hajdutëve dhe trafikantëve të Rilindjes, nuk ka shpëtuar pa marrë plagë në shpirt dhe mendje nga dekada e Edi Ramës, dekada e zbrazjes së Shqipërisë.

Këto plagë do mbeten përjetë shenja mbi ata që i pësuan.

Për shumë familje, kjo plagë ka qenë një familjar që sot do ishte gjallë nëse korrupsioni i Rilindjes nuk do kishte përlarë ilaçet e tyre.

Kjo plagë do dëmtojë shëndetin e 47 përqind të fëmijëve shqiparë që janë të kequshqyer, më keq se ata të Ruandës.

Kjo plagë do dëmtojë 15-vjeçarët që sipas PISA-s, kanë zbritur në fund të botës për mendimin e tyre krijues.

Kjo plagë ishte një pronë e grabitur, linçim politik nga puna, një fermë apo biznes i falimentuar, ku kishin investuar mundin dhe djersën e gjithë jetës së tyre.

Është ajo plagë që kanë të rinjtë, që me gjithë sakrificat e tyre, nuk mund të sigurojnë as edhe një garsionerë për të filluar jetën e tyre.

Kjo plagë është sa deti për Shqipërinë që sheh veten të boshatisur në 8 vite nga mbi 1 milion bij dhe bija të saj.

Ky dërrmim u ka vrarë shpresën, u ka shuar çdo ëndërr për Shqipërinë dhe me të drejtë, si mund të kultivohet shpresa kur nuk siguron dot ilaçet për të shpëtuar fëmijët apo prindin e sëmurë.

Kur të duhen 109 vite për të blerë në Tiranë një apartament.

Kur nuk siguron dot 3 vakte ushqimi për fëmijën tënd.

Prandaj shpëtimi i vetëm mbetet largimi masiv nga Shqipëria.

Por siç thotë populli ynë, e keqja nuk ka fund.

Shqipërisë i kanoset një kërcënim akoma më ekzistencial, sepse 83 përqind e shqiptarëve që kanë mbetur, duan të ikin.

Pra, gjendemi përballë një katastrofe ekzistenciale.

Miqtë e mi, spastrimi etnik i butë i Shqipërisë po ndodh, sepse Edi Rama vendosi në Shqipëri kushtet e llogaritshme për dëbimin e butë masiv të shqiptarëve nga vendi i tyre”, tha ndër të tjera Berisha.

Më tej ai tha: “Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.

Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!

Kushtrimi im sot është kushtrimi i flamurit kuq e zi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme.

Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.

Qeveri teknike është betimi ynë!

Kushtrimi im është thirrja për bashkim!

Për çdo shqiptar.

Nëse kërkoni shpresë, kujtohuni se shpresa jeni ju.

Nëse kërkoni ndryshim, kujtohuni se ndryshimi jeni ju.

Nëse doni që Shqipëria të shpëtojë, mos harroni që jeni shqiptarë.

Mos harroni, jeni shqiptarët e trashëgimisë epike të Gjergj Kastriotit, të Adem Jasharit, të heroizmit të studentëve të ‘90.

Prandaj tani, si një front i madh opozitar, le të përballemi ne me pushtuesin më armiqësor të shqiptarëve të shekullit 21.

Prandaj shqiptarët do bashkohen në këtë luftë.

Jo për Sali Berishën. Jo për Partinë Demokratike. Jo për politikë”.

Pas fjalës së tij protesta u zhvendos para Bashkisë së Tiranës, aty ku demokratët kanë protestuar cdo javë.

Në videot e siguruara nga Gazetasi.al, u pane policët që vraponin të arrinin para qytetarëve.

Protestuesit hodhen molotov në dyert e bashkisë së Tiranës. Pasi u fik zjarri, protestuesit u konfliktuan me policinë, duke i shtyrë këta të fundit. Me pas turma e shpernda. Drejtuesit e selise blu u drejtuan drejt partise aty rreth opres 11.00.

Kjo ishte protesta e para kombëtare e opozitës, që kur Gjykata i dha vulën dhe logon Sali Berishës. Ky i fundit prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar ndodhet në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë