Treg

Blegtoria drejt ‘shfarosjes’. Në Shqipëri u prodhua më pak qumësht vitin e shkuar

Nga Gazeta 'SI' - INSTAT ka publikuar shifra të tjera, që tregojnë se si sektori i blegtorisë në vend po shfaroset.

Në 2023-shin, në Shqipëri u prodhua 8% më pak qumësht se në 2022-shin, vetëm 101 mijë tonë.

Rënien më të madhe e ka pasur qumështi i deleve, që është pakësuar me rreth 11%, dhe është grumbulluar 13 mijë tonë në total. Qumështi i lopës, është reduktuar me rreth 8%, dhe është grumbulluar 80 mijë tonë.

Ndërkohë, sasia e grumbulluar e qumështit nga dhitë është rreth 8 mijë tonë, duke shënuar rënie me 8.2%, krahasuar me vitin 2022.

Grafik nga INSTAT, korrik 2024

Pak javë më parë, në të tjera shifra, INSTAT tregoi se Shqipërinë i kanë “humbur” 890 mijë krerë dele, teksa edhe numri i bagëtive të tjera ka rënë.

Fermerët prej kohësh kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve, pasi sipas tyre kompanitë e bulmetit kanë ulur çmimin e qumështit për grumbullim. Përballë kërcënimit të mosshitjes së produktit, ata kanë pranuar shitjen me çmim të ulët.

“Çmimi i qumështit të lopës ka rënë në tre raste të ndara, duke arritur një ulje totale prej 15 lekë për litër. Sikur kjo të mos mjaftonte, 'karteli i qumështit' ka njoftuar blegtoret për një ulje shtesë prej 3 lekësh për litër, duke sjellë një ulje totale prej 19 lekësh për litër brenda vetëm një viti, në katër raste të ndryshme. Ironia qëndron në faktin se ajo që shteti u jep blegtoreve, 'karteli' ua merr, duke krijuar një lloj skllavërie moderne në zemër të Europës, ku blegtoret janë të detyruar të përballen me vështirësi të mëdha ekonomike”, thotë eksperti i bujqësisë, Ervin Resuli.

Fermerët e qumështit në një protestë para ministrisë së Bujqësisë/Shkurt 2024

Konsumi

Nga sasia gjithsej e qumështit të grumbulluar, rreth 13 mijë tonë është përdorur për prodhimin e qumështit për konsum njerëzor, pjesa tjetër shkon për përpunim. Struktura e qumështit të prodhuar për konsum paraqitet si më poshtë: qumështi i plotë i përpunuar 88.2 %, qumështi gjysëm i skremuar 8.1 %, qumështi i papërpunuar 3.2 % dhe qumështi i skremuar 0.5 %.

Sasia e prodhuar e djathit gjithsej pësoi rënie me 7.7 %. Ndërkohë djathi i prodhuar nga qumështi i dhisë shënoi rritje me 0.6 %, djathi i prodhuar nga qumështi i deles shënoi rënie me 13% ndërsa djathi i prodhuar nga qumështi i lopës pësoi rënie me 7.3 %. Sasia e djathit të prodhuar sipas fortësisë për vitin 2023, është: djathë i butë 49 % djathë gjysëm i fortë 28 %, të tjera prodhime të freskëta 14.4 % dhe djathë i fortë 8.8 %.

INSTAT raporton se qumështi dhe djathi, vazhdojnë të shtrenjtohen çdo muaj, në pikat e shitjes. Në qershor, çmimi i këtyre produkteve ishte 3.4% më i lartë se një vit më parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë