Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e 33 deputetëve të opozitës, të cilët kërkuan shfuqizimin e ligjit për Komisionet Hetimore.
Gjykata ka konstatuar të papajtueshme me Kushtetutën nenin 4 të ligjit, që lidhet me nismën për krijimin e komisionit hetimor, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e kësaj dispozite.
Boshllëku ligjor ka të bëjë me nevojën për “formulime alternative të objektit të hetimit”, siç është shprehur Gjykata në jurisprudencën e saj (vendimi nr. 30/2014), pasi cenon, në thelb, të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor.
Për sa më sipër, Gjykata, pa vënë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj, vëren se, edhe pse gjatë gjykimit u konstatua se kjo dispozitë ka pasur si qëllim të reflektojë jurisprudencën kushtetuese, ky reflektim është i paplotë, për sa kohë janë reflektuar vetëm tre kriteret: i) çështja duhet të ketë të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera të Kuvendit; ii) objekti i hetimit duhet të fokusohet në çështje ose subjekte konkrete; iii) duhet të ekzistojnë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes për të cilën kërkohet ngritja e komisionit hetimor.
Duke lënë jashtë këtyre kritereve “formulimin alternativ” të objektit të hetimit, si një nga elementet që mundëson ngritjen e komisionit hetimor, formulimi aktual i dispozitës ligjore passjell cenimin deri në pamundësinë e ushtrimit të së drejtës së pakicës parlamentare.
Po ashtu, është konstatuar e papajtueshmme me Kushtetutën përmbajtja e nenit 7 të ligjit që parashikon vendimin e ndërmjetëm për marrjen e provave, për shkak të boshllëkut ligjor në përmbajtjen e tij, për sa kohë ky formulim nuk përmban garanci të plota procedurale për të garantuar të drejtën e pakicës parlamentare për kontroll efektiv parlamentar.
“Marrja e provave nga komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë “dritë në errësirë”, në mënyrë që të mundësojë sqarimin e përgjegjësive politike. Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm, sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren. Vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Një vendim refuzimi mund të çojë edhe në lindjen e një mosmarrëveshjeje kompetencash ndërmjet organeve kushtetuese”, argumenton Gjykata.
Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar me shumicë votash nenin 9 të ligjit që ka të bëjë me marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për pyetjen e dëshmitarëve, si dhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë, pasi konsiderohet si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Kjo për shkak se procedura e hetimit parlamentar ndjek qëllime të ndryshme nga ajo e procedimit penal, duke synuar qartësimin e një çështjeje për arsye politike, thekson se ky qëllim përputhet me parimin e ndarjes së pushteteve.
Më tej, GJK ka cilësuar të pajtueshëm me Kushtetutën nenin 6 të ligjit, në lidhje me marrjen e provave pa pjesëmarrjen e publikut, pasi konstatoi se kjo dispozitë jep disa rezultate në varësi të metodave të interpretimit, ndaj Gjykata përzgjodhi atë rezultat që është i pajtueshëm me normat kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.