Politike

Tavo: Do shpërngulem në Himarë, oferta për të kandiduar nuk ishte e papritur

Kandidati i PS-së, Vangjel Tavo, për bashkinë e Himarës, (ende Prefekt i qarkut Vlorë) është shprehur se është gati për këtë garë edhe pse jo me larg se pak kohë më parë ai e cilësoi të pamundur përfshirjen.

“Kur emri im qarkulloi në media si kandidat në Himarë ishte thashethem. Ka pak kohë që kryeministri më ka ftuar dhe e kemi diskutuar çështjen e kandidimit dhe nuk mund të them se ishte e papritur. Në fillim kur qarkulloi në media, ishte thashethem, ka pak kohë që e kemi diskutuar. Ndihem i nderuar që kandidoj për Bashkinë e Himarës. Kam përvojën time në politikë, në shërbim të njerëzve. Për mua është një përgjegjësi.

Përvoja ime e gjatë besoj se ka qenë arsyeja e mbështetjes nga Kryesia e PS. Ndihem i nderuar t’i shërbej kësaj bashkie, këtij komuniteti, himarjotëve me histori të lavdishme që i bën ata krenarë për vendlindjen dhe origjinën e tyre. Herë pas here, duhet ta pranojmë, nga faktorë të ndryshëm kjo krenari dhe ky dinjitet i tyre me veprime të pavullnetshme, dua ta them këtu, ky dinjitet dhe kjo krenari e tyre është fyer. Emri himarjot është shpërdoruar, por himarjotët janë himarjotë dhe duhet të vlerësohen të tillë”, tha ai.

“Do shpërngulem në Himarë dhe do jem vazhdimisht në kontakt me njerëzit, do jem çdo ditë. Edhe kur isha deputet i Gjirokastrës isha 4 ditë në Gjirokastër dhe tri ditë në Tiranë kur dihet që angazhimi si deputet është ndryshe. Si Prefekt i Vlorës, unë jam në Vlorë. Si kryetar bashkie do të jem çdo ditë në Himarë”, tha Tavo.

Ai tha se mirëpret çdo kandidat në garë.

“Çdo kandidat përballë meje është i mirëpritur. Por nuk do merrem me asnjërin prej tyre. Mua më shqetësojnë problemet që kanë qytetarët. Nuk do merrem me kandidatët e tjerë. Mos kërkoni nga unë të komentoj kandidatët rivalë. Slogani im është 'zgjidhje, jo krizë'. Nuk ka krizë, por zgjidhje të problemeve në Himarë, në këtë kuptim"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë