Kombetarja

Këtë 9 korrik Sylvinhos i skadoi kontrata si trajner i Kombëtares

Nga Gazeta Si – Teksa Europiani po i drejtohet fazës së finales së madhe ku do të përcaktohet skuadra kampione e re e Europës, ne do ta kujtojmë Gjermani 2024-n edhe si Europianin e Shqipërisë. Ndoshta me pengje se mund të bënim diçka më mirë, sepse oreksi vjen duke ngrënë thonë, por gjithsesi për herë të dytë në historinë tonë të futbollit ne ishim mes 24 skuadrave më të mira të Europës dhe u paraqitëm si një skuadër konkurruese edhe pse morëm vetëm 1 pikë.

Megjithatë, nëse përpara Europianit kishim një tjetër entuziazëm, një tjetër vlerësim për atë që quhet si arkitekti apo udhëheqësi i kuqezinjve tanë në këtë sukses, trajnerit, me disa rekorde në fakt në fazën kualifikuese, pasi u renditëm të parët në grup, ishim mbrojtja më e mirë dhe statistika si këto, gjërat kanë ndryshuar disi pas Europianit.

Sylvinho, i pakontestueshëm në vendimet që mori në 8 ndeshjet që na kualifikuan në Europian, pikërisht në tre ndeshjet që luajtëm ndaj Italisë, Kroacisë dhe Spanjës, pati shumë diskutime për zgjedhjet dhe zgjidhjet e bëra. Por në futboll është normale të diskutohen dhe kritikohen teknikët, pasi kështu ndodh edhe me emrat më të mëdhenj në botë të trajningut jo vetëm me trajnerin tonë.

Por sot që flasim, më 9 korrik, Sylvinho zyrtarisht nuk është më trajneri i Shqipërisë, sot atij i ka skaduar kontrata dhe ndodhet me pushime me familjen e tij në Porto, siç pati deklaruar disa ditë më parë, ndërkohë në FSHF njoftoi se do të rikthehej për një javë, por nuk ndodhi. Një zgjedhje sa e çuditshme aq edhe e kuptueshme nga ana tjetër. Sylvio Mendes Campo Junior (Sylvinho) ka refuzuar apo shmangur në disa raste, çështjen e rinovimit të kontratës në prag të Europianit, duke u justifikuar me përgatitjen e eventit, apo listës së lojtarëve. Sigurisht që në Gjermani nuk ka pasur realisht kohë dhe nuk ishte momenti për ta bërë, por ai nuk e bëri as javën e shkuar… pritet diçka këtë javë, por tashmë klima ka ndryshuar.

Nga ana tjetër ajo shmangie, nuk është se i ka ardhur shumë për shtat presidentit të federatës Armand Duka, i cili është edhe zv.presidenti i UEFA-s dhe si i tillë, po qëndron në Gjermani për të ndjekur ndeshjet gjysmëfinale, dhe finale edhe pse udhëtoi me skuadrën më 25 qershor drejt Tiranës sëbashku me trajnerin dhe pak lojtarë. Me të përfunduar Europiani, ndoshta do të marrë kohën e tij të pushimeve dhe mund të ketë ai tashmë mungesën e disponibilitetit ndaj Sylvinhos, apo pse jo, edhe për të bërë gati Planin B pasardhësin e brazilianit.

Me sa duket Sylvinho duke na konsideruar si një “vend pune” i sigurt, ka qëndruar në pritje deri sot apo edhe pak më tepër, të ofertave që mund t’i kenë shkuar, për të parë se cila vlen për të. Por nga kjo situatë lë të kuptohet vetëm një gjë, egoizmin e tij, ambicien personale, si për të na qetësuar nga e gjithë ajo “histeri” vlerësimesh që mori, duke na treguar se është thjesht një i huaj, që vjen këtu si i punësuar dhe na respekton për ato 750.000 euro në vit që merr, nga nesër, nëse ka gjetur një vend tjetër, do të na fusë në pjesën e historisë dhe karrierës së tij. Përndryshe, do të rikthehet me buzëqeshjen e stampuar në fytyrë, me shqiponjën mes dy duarve, duke na thënë se sa i munguam dhe se puna vazhdon, por jo si një vazhdimësi tashmë, por si një kontratë e re, pasi për të, vlerë ka paraja, më shumë se sa emocionet. Është profesionist, jo tifoz, as shqiptar, pavarësisht pasaportës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë