Politike

Zgjedhje me nxitim / Fushata zgjedhore për Bashkinë e Himarës vetëm 9 ditë, kur duhet të regjistrohen kandidatët

Më 4 gusht në Himarë do të ketë zgjedhje. KQZ ka gati projektvendimin ku përcakton se fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë normalisht duhet të fillojë 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve.

Por duke qenë se afati 30 ditor nga dekretimi i zgjedhjeve është shumë i ngushtë, KQZ vlerëson se kohëzgjatja e fushatës zgjedhore prej 9 ditësh kushtëzohet nga afati i krijimit të KZAZ-ve, regjistrimit të subjekteve zgjedhore, komiteteve nismëtare, koalicioneve dhe kandidatëve.

Në referim të parashikimeve të nenit 59, pika 1 të Kodit Zgjedhor, në rastin e zgjedhjeve të pjesshme ose të parakohshme, Zyra e Gjendjes Civile në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile, harton listën e zgjedhësve jo më vonë se 5 ditë nga nxjerrja e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Referuar datës së nxjerrjes së Dekretit, afati për të hartuar listën e zgjedhësve është parashikuar jo më vonë se data 10 korrik 2024.

Kërkesa për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë duhet të paraqitet në KQZ nga partitë politike, jo më vonë se data 15 korrik 2024. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi.

Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit.

Në të njëjtën datë, 15 Korrik, paraqesin në KZAZ kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, edhe Komitetet Nismëtare.

Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë jo më vonë se data 19 korrik 2024.

Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ, jo më vonë se data 22 korrik 2024.

KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë