Nga Gazeta ‘SI’ – Rreth 390 mld lekë qarkullonin jashtë sistemit bankar deri në fund të muajit maj, raporton Banka e Shqipërisë.
Vlera është e rritur krahasuar me muajin prill, por nga dhjetori 2023, tregut “i mungojnë” 4 mld lekë.
Rënia i atribuohet zhvlerësimit të mëtejshëm të euros gjatë 2024-s, që kur raportohet në lekë, vlera rezulton më e ulët.
Por faktor me rëndësi është edhe niveli i shpenzimeve të qeverisë. Sipas “traditës”, qeveritë shqiptare përqendrojnë shpenzimet kapitale në fund të vitit duke rritur ofertën e lekut përkohësisht në atë periudhë.
Muajt e parë të 2024-s, qeveria shqiptare ka shpenzuar vetëm 900 mln lekë për investime publike, duke ndikuar kështu në një ofertë më të vogël të parasë në treg dhe duke ushtruar më shumë presion ndaj valutave.
Sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, në maj 2024, agregati M1 (paraja jashtë korporatave depozituese plus llogaritë rrjedhëse dhe depozitat pa afat në lekë të rezidentëve jobanka, pa qeverinë) është rritur me vetëm 9 mld lekë nga prilli dhe me 1 mld nga dhjetori 2023 dhe raportohet 773 mld lekë.
Agregati M2 (M1 bashkë me depozitat me afat në lekë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) është rritur me 10 mld lekë nga prilli dhe 6 mld nga dhjetori duke shkuar në 978 mld lekë.
Agregati M3 (paraja e gjerë përfshin M2 plus depozitat në valutë të rezidentëve jobanka, përjashtuar qeverinë) ka pësuar një rritje me rreth 13 mld lekë nga prilli, por rënie 9 mld lekë nga dhjetori. Në maj 2024 raportohet 1.690 mld lekë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



