Kosova

Kurti: Rreziqet e Kosovës nga Serbia janë në rritje. Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë

Nga Gazeta 'Si' - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë me dije se kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës janë në rritje.

Në një opinion në "The New York Times", të cilin e ka shkruar në prag të samitit të NATO-së në Uashington, ai ka folur edhe për rreziqet që i vijnë Kosovës nga Serbia.

Ai e ka përmendur rastin e sulmit në Banjskë, duke shtuar se për këtë arsyeje është dashur të shtohen forcat e NATO-s në kufirin e Kosovës me Serbinë.

“Prapëseprapë, edhe pse demokracia e Kosovës është në ngritje, në ngritje janë edhe rreziqet ndaj sigurisë së saj. Në shtator, trupa paramilitare serbe të armatosura rëndë, të cilat ne besojmë se erdhën nga Serbia, morën pozicione në Manastirin Ortodoks të Banjskës në atë që qeveria amerikane e quajti përpjekje shumë të organizuar që përfshiu armë të sofistikuara. Forcat ushtarake serbe u mobilizuan afër kufirit tonë, lëvizje e kritikuar nga Shtetet e Bashkuara si 'destabilizuese'. Vitin e kaluar, NATO-ja e rriti numrin e trupave të saj nga 3.770 në rreth 4.500, në kohën e shtimit të kërcënimeve ndaj paqes”, ka shkruar Kurti.

Ai ka bërë me dije se një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë.

“Një front i ri në Ballkan do t’i shërbente Rusisë po aq sa Serbisë: Serbia mund të përpiqet të fitojë territor përmes agresionit dhe Rusia mund të fitojë kontroll më të fortë ndaj Serbisë si një satelit, përveçse të shpërqendrojë botën nga lufta që po bën në Ukrainë. Nën drejtimin e Vuçiçit, Serbia ka investuar shumë në ushtrinë e saj dhe në bashkëpunimin ushtarak me Rusinë. Sipas një raporti të vitit 2019 nga Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-së, ‘Serbia ofron mjedisin më të hapur për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor’.

Kosova, në krahasim, nuk mund të ofrojë një mjedis më pak të hapur. Ne kemi mbetur fort pro-perëndimorë”, ka vlerësuar Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë