Politike

Shoqata e Bashkive të Opozitës letër KiE: Qeveria po minon pushtetin lokal. Ka zaptuar të gjitha kompetencat

Nga Gazeta ‘SI’ – Shoqata e Bashkive të Opozitës në Shqipëri janë të shqetësuar për ndryshimet në ligjet e planifikimit të territorit, që i japin më shumë kompetenca qeverisë.

Në një letër drejtuar Këshillit të Europës, Shoqata thotë se qeveria shqiptare ka zaptuar një seri kompetencash të pushtetit vendor në dhënien e Lejeve për Ndërtim dhe se është cënuar pavarësia e pushtetit vendor.

Shoqata thotë se aktiviteti i Bashkive është vendosur në kontroll të plotë nga qeveria qendrore.

“Për fat të keq, në këtë dekadë, politika qeveritare rezulton të jetë një proces diabolik i një transformimi ligjor të paramenduar, me të cilin Kryeministri Rama ka sulmuar autonominë vendore,  kufijtë dhe zhvillimin demokratik, shoqëror e ekonomik të rajoneve dhe interesat e qytetarëve”, thuhet në letrën drejtuar KE-së.

Specifikisht, Shoqata  trego se bëhet fjalë për ndryshimet në ligjet: “Për Vetëqeverisjen Vendore”, “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, “ Për Bashkëqeverisjen“, “Për zhvillimin rajonal dhe kohezionin”, “ Për planifikimin e dhe zhvillimin e territorit”, “Për Turizmin”, “Investimet strategjike”, Ligji për zonat e mbrojtura, “Për realizimin e procedurës së ndërtimit të Teatrit Kombëtar”, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat..”, etj.

“Rritja me kokëfortësi e autoritarizmit te Kryeministrit Rama po ngushton jo vetëm hapësirat e qeverisjes vendore, por po e shndërron vendin në një republikë autokratike, në shërbim të interesave të një grupi okult me interesa të dyshimta”, thuhet në letër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë