Nga Gazeta Si – Nuk kanë munguar as këtë të enjte tensionet në kuvend. Këtë herë ishte interpelanca e kërkuar nga opozita me ministren e shëndetësisë Albana Koçiu për skandalin e ndodhur në Onkologjik.
Ishte ministrja e shëndetësisë ajo që foli e para duke thënë se ngjarja tek onkologjiku ishte e rëndë dhe nuk duhej të kishte ndodhur, por “ne nuk mund të përgjithësojmë të gjithë bluzat e bardha, të gjithë armatën sepse kjo do të ishte vetëvrasje sociale”.
Mes rreshtave, Koçiu tha se përballë dorëheqjes dhe vazhdimit përpara, “unë zgjodha të dytën” tha ministrja Koçiu, për të treguar se do të plotësojnë të gjitha nevojat e qytetarëve me hapësirat e duhura.
Menjëherë u përgjigj deputetja Zhani Gjergji, duke thënë se priste një reflektim nga ana e ministres dhe ndoshta edhe dorëheqjen.
“Tani që flasim janë 10-tra pacientë që rrinë në këmbë në katin e parë të Onkologjikut, në errësirë. Më pas marrin një recetë ku u duhet të shkojnë të blejnë ilaçet që farmacitë i kanë marrë kontrabandë. Realizimi i objektivave për më pak të sëmurë me kancer është një dështim i plotë. Ju nuk dolët dot përtej propagandës së qeverisë”, tha Gjergji, e cila shtoi se në spitale ka kushte të mjerueshme, mungesë trajtimi dhe radhë të gjata ndërkohë që janë të gjithë pacientë të sëmurë.
“Në fjalën tuaj shqiptarët nuk gjetën asnjë përgjigje për këto. Me ndryshimet e reja ju vetëm do të caktoni kush do të punojë në privat dhe kush jo”, tha Gjergji.
Deputetja shtoi se kjo ngjarje duhet të hetohet nga SPAK dhe mbetet një provë besimi nëse SPAK do e marrë përsipër këtë ngjarje.
“Ju nuk i dhatë as fjalën shefave të spitalit në takimin që zhvilluar javën e kaluar. Nuk u fol për shtim të fondeve dhe nuk u dha përgjigje për mungesën e ilaçeve”.
Por Koçiu zgjodhi të krahasonte situatën e spitaleve me situatën e para 30 viteve, duke thënë se “ka shumë llum të akumuluar këto 30 vite dhe ngjarja e ndodhur në Onkologjik ishte aty dhe para 30 vitesh, nuk doli sot.
“Është reduktuar kontrasti i mungesës së medikamenteve në krahasim me 30 vite më parë. Ka nevojë akoma më shumë për të punuar”, tha Koçiu.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




