Nga Gazeta 'SI' - Kompanitë e sigurimeve arkëtuan 9.4 mld lekë në fund të majit 2024 me një rritje rreth 5% nga një vit më parë.
Të dhënat e AMF-së tregojnë se në total u nëshkruan 558 mijë kontrata sigurimi.
AMF raporton se 90.91% e kontratave ishin nga sigurimet e jo-jetës, 9.04% nga sigurimet e jetës dhe 0.042% nga risigurimet.
Sigurimi i detyrueshëm, ku dominon ai motorik, vazhdon të mbajë pjesën më të madhe të tregut, 57% dhe ato vullnetare 42.9%.
Nga janari në maj, 5.3 mld lekë u arkëtuan nga sigurimet motorike, rritur me 12% nga një vit më parë.
4 mld lekë u arkëtuan nga sigurimet vullnetare, ku 1.7 mld ishin nga sigurimi i pronës. Vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 70.72%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 20.57% të totalit. Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë muajit janar - maj 2024, vihet re një ulje prej 25.61% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.94% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar - maj 2023.
Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë muajit janar - maj 2024, arritën në rreth 609 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 10.17% në krahasim me periudhën janar - maj 2023.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar - maj 2024 kapën vlerën 2.5 mld lekë, duke pësuar një rritje me rreth 25.46% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.